fbpx

Reagon shoqëria civile: “Qeveria urgjentisht ta anulojë vendimin për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë”

HomeLajmeKosovë

Reagon shoqëria civile: “Qeveria urgjentisht ta anulojë vendimin për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë”

Organizatat e Shoqërisë Civile kanë reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës, duke thënë se kundër-kushtetueshmërisht ka nxjerrë vendim për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Përkundër faktit se shoqëria civile vazhdimisht ka theksuar se vendimi për ngritje të pagave ka qenë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjin, kushtetutshmëria e këtij vendimi është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese. Ky vendim nuk është shfuqizuar nga asnjë institucion tjetër, derisa nuk është konfirmuar as përgjegjësia penale për nxjerrjen e këtij vendimi. I njëjti po ashtu është reflektuar edhe në vendimin e Qeverisë të datës 12 shkurt 2020. Sa i përket vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese përkitazi me Ligjin Nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, Gjykata Kushtetuese në këtë rast ka nxjerrë vendim për shfuqizimin e këtij ligji. Kështu, çështja e pagave nuk është rregulluar me këtë ligj. Tutje, që nga koha e publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese përkitazi me këtë ligj e deri më sot, kanë kaluar mbi dy (2) vite e katër (4) muaj”, thuhet në komunikatën e organizatave të Shoqërisë Civile.

“Në këtë mënyrë, përtej pretendimeve, ngritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve tanimë është konfirmuar në rrugë institucionale. Kështu, përtej kualifikimit formal, vendimi i sotëm i Qeverisë paraqet ulje të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, vijon njoftimi.

“Tutje, Komisioni i Venecias ka përcaktuar standardet se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është e lejuar, përjashtimisht rasteve shumë specifike, të cilat nuk paraqiten në situatën konkrete. Në shkurt të vitit 2020, kur në procedurë në Gjykatën Kushtetuese ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat, Gjykata i ishte drejtuar Komisionit të Venecias me një pyetje dhe disa nën pyetje thelbësore në lidhje më çështjen e uljes së pagës për pushtetin gjyqësor. Përgjigjet e Komisionit të Venecias ishin se “Ulja e pagave të gjyqësorit mund të ndodhë vetëm nën kushte të një krize të theksuar ekonomike dhe financiare dhe e cila për më tepër duhet të jetë e njohur zyrtarisht si të tillë” dhe se “Pavarësia gjyqësore kërkon një shkallë themelore të sigurisë financiare nga ndërhyrjet arbitrare nga ekzekutivi ose degët e tjera të pushtetit”. Për këto arsye, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve paraqet qartazi ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe është në kundërshtim me standardet e ndërtuara nga Komisioni i Venecias. Për më tepër, sa ishte në opozitë, vet Lëvizja Vetëvendosje në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese kishte theksuar se “…ulja dhe rritja e tyre[pagave], është kompetencë e Kuvendit të Republikës së Kosovës…””.

Këto organizata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që me urgjencë ta anulojnë vendimin e sotëm. /Lajmi.net