Reagime të ashpra për praninë e dy ministrave në shënimin e ditës antikushtetuese të Republika Serpskas!

2 minutes, 56 seconds Read

Prania e dy ministrave qeveritar të Malit të Zi mbrëmë në akademinë solemne të shënimit të ditës antikushtetuese të Republika Sërpska (RS) në Banjallukë shkaktoi reagime, raporton Anadolu Agency (AA).

Partitë opozitare të Malit të Zi, Bashkësia Islame e Malit të Zi, por edhe një pjesë e opinionit reagoi ashpër ndaj lajmit se ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviq dhe ministri i Drejtësisë, Marko Kovaç, në Qeverinë e Malit të Zi, morën pjesë në akademinë solemne të shënimit të ditës antikushtetuese të Republika Sërpska (RS) në Banjallukë, të cilin Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës e ka shpallur antikushtetues.

Partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), tha se prania e ministrit të drejtësisë dhe financave, në akademinë në Banjallukë është një tjetër konfirmim i karakterit antievropian të qeverisë së Dritan Abazoviqit.

Deputeti i DPS-së, Millosh Nikoliç, deklaroi se “qeveria e Abazoviqit çdo ditë të funksionimit të saj kërcënon marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe perspektivën evropiane të Malit të Zi”.

“Ky skandal i paprecedentë, të cilin nuk ia lejoi vetes as qeveria apostolike e Zdravko Krivokapiçit, është një goditje tjetër e rëndë për imazhin dhe reputacionin ndërkombëtar të vendit tonë, i cili rrezikon të komprometojë Malin e Zi si një partner të besueshëm rajonal”, theksoi Nikoliç në njoftim.

Sipas tij, për këtë arsye është e nevojshme që sa më shpejt të zgjidhen gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi.

“Dhe, t’i jepet fund agonisë për të mbajtur sa më shpejt zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pas të cilave Mali i Zi do të ketë një qeveri stabile, të përgjegjshme dhe të orientuar drejt Evropës, e cila do të rivendosë stabilitetin dhe do të vazhdojë ta udhëheqë vendin përmes integrimeve evropiane”, tha Nikoliç.

Partia Liberale i bëri thirrje Qeverisë së Malit të Zi që të kërkojë falje zyrtare qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe të distancohet nga akti skandaloz.

“Si dhe të përpiqet të zbusë pasojat e skandalit, i cili shihet me dyshim nga i gjithë opinioni”, thuhet në njoftim.

Partia Boshnjake dënoi ashpër praninë e dy ministrave në akademinë solemne në Banjallukë, duke e quajtur aktin e tillë “skandal ndërkombëtar”.

Nga kjo parti, kujtuan se “në ditën e sotme ka filluar fushata shkatërruese dhe vrastare kundër shtetit të Bosnjë e Hercegovinës, me qëllim të shfarosjes në radhë të parë të popullit boshnjak dhe shkatërrimit të të gjitha karakteristikave të tij”.

“Prandaj ne pyesim publikisht Damjanoviqin dhe Kovaçin nëse kanë përfaqësuar Qeverinë e Malit të Zi duke marrë pjesë në akademinë solemne në Banjallukë, nëse kanë udhëtuar si zyrtarë të qeverisë dhe me shpenzimet e kujt”, thuhet në reagimin e Partisë Boshnjake.

Prania e ministrave të Malit të Zi në takimin në Banjallukë u dënua edhe nga SDP dhe SD, kurse lidhur me rastin reagoi edhe kreu i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat ef. Fejziq.

“Më vjen sinqerisht keq që ministrat e Qeverisë së Malit të Zi morën pjesë në tubimin me rastin e ‘Ditës së Republikës Sërpska’ në Banjallukë, me ftesë të Milorad Dodik, i cili, ndër të tjera, nderoi me urdhër Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin”, ka shkruar Fejziq në profilin e tij në Twitter.

Publikime te ngjashme