Rasti i “Pick Up-it” për mirëmbajtjen e rrugëve, Durmishi thotë se nuk ka kushtuar 850, por 900 mijë euro!

1 minute, 11 seconds Read

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka kërkuar falje pasi ditë më parë në një intervistë televizive ka ngatërruar shifrën me të cilën shteti ka paguar një veturë për mirëmbajtjen e rrugëve.

Ai duke folur për kontratat për mirëmbajtje të rrugëve regjionale e nacionale, të cilat ishin bërë para ardhjes së Qeverisë Kurti në pushtet, ka treguar një rast se si një automjet “Pick-up” ishte paguar 850 mijë euro, e që siç sipas tij është shifër “marramendëse”.

E të enjten në një postim në Facebook, Durmishi ka thënë se ky pozicion nuk i kishte kushtuar buxhetit të shtetit 850 mijë euro, por 900 mijë euro.

“Kërkim falje. Para disa ditëve kam deklaruar se një ‘Pick-up’ (automjet) i cili lëvizte në rrugë për të bërë inspektime se ku ka nevojë të intervenohet me kontratën e mirëmbajtjes është paguar në vlerë 850 mijë euro. Në fakt ky pozicion nuk i kishte kushtuar buxhetit të shtetit 850 mijë euro por 900 mijë euro”, ka shkruar ai.

Tutje, zëvendësministri ka thënë se “sulmet që na bëhen vazhdimisht janë edhe për shkak se nuk ka më pozicione të tilla”.

“Nga 57 milion sa ka kushtuar mirëmbajtja në të kaluarën për tri vite ne e kemi zbritur në 30 milion euro. Vazhdojmë dhe nuk ndalemi asnjëherë”, ka përfunduar Durmishi.

Publikime te ngjashme