fbpx

Rama tregon se çfarë i tha Vuçiq në 2014-ën kur ky i kërkoi njohjen e Kosovës në Beograd

HomeLajmeShqiperi

Rama tregon se çfarë i tha Vuçiq në 2014-ën kur ky i kërkoi njohjen e Kosovës në Beograd

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka treguar një bisedë të tijën me presidentin serb Aleksandar Vuçiq pas deklaratës së bërë prej tij në vitin 2014 në Beograd ku tha se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Rama, në një intervistë për “Euronews Serbia”, u shpreh se Vuçiq mbeti i dëshpëruar dhe u inatos nga deklarata e tij.

Ai tha se pas konferencës Vuçiq ishte me ekipin e tij të cilët i kërkuan që ta dëbonin nga Serbia.

“Në 2014-n ne rrezikuam të shkëputeshim sërish për 68 vite të tjera, pasi Aleksandar mbeti i dëshpëruar nga deklarata ime në konferencën për shtyp në Pallatin e Serbisë, që Serbia duhet të njohë Kosovën. Ai u inatos dhe e mbaj mend mirë që kur mbaruam konferencën patëm një bisedë të vogël përpara drekës. Ai ishte aty me ekipin e tij, të gjithë e kishin rrethuar, ishte si një kullë e rrethuar nga muret. Unë iu afrova dhe më tha: a e di se çfarë po më thonë? Jo, i thash. Përse nuk të kam dëbuar ende nga Serbia. I thashë, nuk habitem, për këtë ti je presidenti dhe ata këshilltarët e tu”.

Kryeministri shqiptar shtoi se presidenti serb i kishte thënë se si do të reagonte nëse do të thoshte në Tiranë se Serbia nuk do ta njohë Kosovën.

“Më pas u takuam sërish këtu në mbrëmje, bëmë një shëtitje, ai vazhdonte të ishte i tensionuar, por e kuptuam se nëse vazhdojmë kështu, duke i mbyllur gojën njëri-tjetrit për këtë çështje, nuk do të jetë e mundur të ndërtojmë një marrëdhënie. Ai më tha, po sikur të vij unë në Shqipëri dhe të them se nuk e njohim Kosovën? Unë i thash, ti mund të vish dhe të thuash ç’të duash dhe unë nuk do të sillem kurrë siç u solle ti këtu. Por kjo nuk është arsye për të mos vazhduar dialogun. Dhe unë mendoj se ka më shumë kapacitete për t’u mirëkuptuar. Ndërtimi i kapaciteteve për t’u mirëkuptuar është njësoj si të ndërtosh paqen”

x