Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të shtetit shqiptar për Kosovën, duke nënvizuar prerazi se procesi i pavarësisë së saj është tashmë i pakthyeshëm.
“Kosova është shtet i pavarur; ajo është një republikë”, ka deklaruar kreu i qeverisë shqiptare gjatë një interviste ekskluzive për mediat e huaja, përkatësisht për “Turkiye Today”.
Rama ka lëshuar një paralajmërim të fortë, duke bërë të ditur se çdo rrezik që prek ekzistencën e Kosovës, do të reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në Republikën e Shqipërisë.
“Në momentin që preket Kosova, automatikisht është prekur edhe Shqipëria”, ka potencuar shefi i kabinetit qeveritar në Tiranë.
Ai e përforcoi këtë qëndrim duke shtuar se nëse Kosova gjendet nën një kërcënim ekzistencial, edhe Shqipëria e konsideron veten nën të njëjtin nivel rreziku.
Megjithatë, duke u ndalur te ngërçi në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Prishtinës dhe Beogradit, Rama pranoi se perspektiva e tij nga Tirana ndryshon natyrshëm nga ajo e kryeministrit Albin Kurti dhe udhëheqjes kosovare.
“Unë ndodhem në Tiranë dhe jo në Prishtinë. Kam qenë dëshmitar i asaj lufte të përgjakshme që shpërbëri ish-Jugosllavinë dhe që solli mbi Kosovën furinë e makinerisë shkatërruese nacional-socialiste”, u shpreh ai.
Ai përfundoi duke shpjeguar se plagët dhe makthet e asaj periudhe mbeten ende shumë të freskëta atje, ndërsa në Shqipëri ndjesia është ndryshe, fakt ky që dikton dallimet në mënyrën se si shihen zhvillimet nga distanca./lajmishqip.net










