fbpx

Rama: KiE të shpallë të pabazuara akuzat e Dick Marty

HomeLajmeShqiperi

Rama: KiE të shpallë të pabazuara akuzat e Dick Marty

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi sot se Shqipëria i kërkon zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të rishikojë Rezolutën e “Dick Marty”.

Kryeministri Rama thekson se “Shqipëria i kërkoi zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011) dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës! Në dritën e zhvillimeve të kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse edhe falë angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë, raporti famëkeq i Dick Marty-t nuk mund të gëzojë më rezolutën mbështetëse në fuqi”.

“Kuvendi i Shqipërisë ka përcjellë zyrtarisht në Këshillin e Evropës, rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022. Rezoluta u është dërguar: Vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës;Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës; Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës; Presidentit dhe zv/presidentëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, shprehet Rama.

Rama shton se, Shqipëria i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (follow up report) dhe si rrjedhojë një rishikim thelbësor të Rezolutës 1782 (2011).

“Shqipëria riafirmon vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë e për mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën dhe e konsideron këtë nisëm shprehje kuptimplotë të këtij vullneti. Liria ka një emër, Lavdi UÇK”, shprehet Rama.

Gjithashtu dhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka reaguar në rrjetet sociale për këtë çështje ku thekson se, “Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi dhe përsërit thirrjen e tij për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj. Shqipëria shpreh vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën”.

Kuvendi ka miratuar më 21 korrik rezolutën e propozuar nga Partia Socialiste që dënonte raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, që akuzonte ish-drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte. Shqipëria i kërkon organizatës kryesore evropiane për të drejtat e njeriut që të të rishikojë rezolutën e miratuar 11 vite më parë.