fbpx

Rakiç nga Beogradi paralajmëron bllokimin e vendkalimeve në Veri

HomeLajmeKosovë

Rakiç nga Beogradi paralajmëron bllokimin e vendkalimeve në Veri

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe.

Kështu tha ai pas takimit të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

“Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”, tha Rakiq në një konferencë për media në Beograd.

Rakiq tha se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është thënë se nëse “Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër fillon të konfiskojë pronën tonë dhe prona tona janë pikërisht targat që janë arsyeja e takimit, ne do të përdorim të gjitha mjetet në mënyrë demokratike dhe paqësore, për të rezistuar dhe do të jetë rezistenca e popullit”.

“Kur themi rezistencë paqësore demokratike të popullit, ne me të vërtetë atë e duam, por nuk e di se në çfarë do të shndërrohet e gjitha dhe si do të zhvillohet situata në terren”.

“As unë nuk e di dhe askush nga ne që jetojmë atje poshtë se në çfarë do të shndërrohet situata nëse dikush me dhunë fillon të na marrë pronën”, shtoi ai.

Takimi mes përfaqësuesve të Listës Serbe dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vjen pesë ditë para se të skadojë afati për riregjistrimin e makinave në Kosovë. Pas këtij takimi, Serbia do të mbajë mbledhjen e Sigurisë Kombëtare.

Që nga 1 shtatori, Kosova ka nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës.

Targat me akronime serbe për qytetet e Kosovës – sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme – konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës.

Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia të shmangin tensionet. Po ashtu, Kosovës i është kërkuar që të shtyjë afatin për riregjistrim për 10 muaj.

Nga Ambasada amerikane në Prishtinë, i thanë REL-it më 26 tetor, se synojnë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e të zbatohet në mënyrë paqësore, dhe të mos kontribuojë në rritje të tensioneve.

“Megjithatë, ne kemi kërkuar, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, një shtyrje dhjetëmujore për zbatim të vendimit”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës.

Ndërkaq, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar për Zërin e Amerikës se autoritet në Kosovë ende nuk janë përgjigjur lidhur me kërkesën për shtyrje të riregjistrimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më 25 tetor se Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat.

“Përveç se duam të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja dhe siguria. Andaj edhe kur partnerët, aleatët, miqtë tanë ndërkombëtar na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka deklaruar Kurti.

Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.

Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve që nga viti 2011.

Procesi i bisedimeve, që ndërmjetësohet nga BE-ja, pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”. /Rel