fbpx

Raketa që goditi Poloninë i nxjerr në pah dobësitë në mbrojtjen ajrore të NATO-s

HomeLajmeBota

Raketa që goditi Poloninë i nxjerr në pah dobësitë në mbrojtjen ajrore të NATO-s

Polonia kishte nisur të forconte mbrojtjen e saj ajrore shumë kohë përpara se një raketë të binte brenda kufirit të saj të martën, por krijimi i një mburoje të fortë ajrore përgjatë krahut lindor të NATO-s është larg realizimit, pas dekadash neglizhence pas Luftës së Ftohtë.

“Raketa që goditi Poloninë duket se është hedhur nga forcat ukrainase dhe jo nga Rusia”, tha sekretari i Përgjitshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Megjithatë, pavarësisht se gabime teknike mund të ndodhin në çdo konflikt, incidenti dëshmon nevojën urgjente me të cilën përballet NATO-ja për të mbyllur hendeqet në mbrojtjen e saj sepse edhe gabime si ky mund të çojnë në një përshkallëzim të rrezikshëm.

“Ishte vetëm një çështje kohe që të ndodhte një aksident i tillë, ” i tha agjencisë Reuters një ekspert i mbrojtjes ajrore nga një vend i NATO-s, duke folur në kushte anonimiteti. “Mund edhe të kishte qenë një raketë ruse në një drejtim të gabuar, për shkak të një gabimi teknik ose njerëzor”.

“Ndërsa disa raketa ajrore të prodhuara në Perëndim vetëshkatërrohen nëse nuk arrijnë të godasin objektivin, raketat e vjetra sovjetike nuk e kanë një mekanizëm të tillë”, tha eksperti.

“Nëse e humbasin objektivin, vijojnë fluturimin derisa rrëzohen”, tha ai, duke shtuar se “raketat e vjetra kanë një mundësi gabimi më të lartë”.

Sistemet e mbrojtjes ajrore Raytheon’s RTX.N Patriot janë ndërtuar për të interceptuar raketat që po i afrohen.

Por pas Luftës së Ftohtë, shumë vende anëtare të NATO-së e ulën numrin e këtyre njësive të mbrojtjes ajrore duke reflektuar bindjen se në vazhdim do të ishin pak të kërcënuar nga hedhja e raketave, kryesisht nga vende si Irani.

Ky perceptim, ndryshoi në mënyrë rrënjësore pas pushtimit rus në Ukrainë që i detyroi vendet anëtarë të NATO-s të rrisin rezervat e municioneve dhe të adresonin mungesat në sistemin e mbrojtjes ajrore.

Gjermania kishte 36 sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot kur ishtë në vijën e parë gjatë Luftës së Ftohtë edhe pse kishte mbështetjen e NATO-s. Sot, forcat gjermane numërojnë vetëm 12, dy prej të cilave janë vendosur në Sllovaki.

“Ka qenë një mburojë e vërtet ëe sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe këtë kanë në mend njerëzit kur flasin për mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s,” tha eksperti ushtarak. “Por ne jemi shumë larg një skenari të tillë”.

Duke kuptuar nevojën për të mbushur këtë hendek, aleatë të NATO-s të udhëhequr nga Gjermania në tetor i hapën udhë nismës për të blerë së bashku sistemet e mbrojtjes ajrore .

Nisma vjen ndërkohë që Ukraina, e cila po përballet me sulme të rënda nga Rusia, ka dëshpërimisht nevojë për njësi të mbrojtjes ajrore, duke përkeqësuar mungesat në vendet perëndimore që po i dërgojnë Kievit disa nga sistemet e tyre.

Polonia, e cila së bashku me tre shtetet baltike ndërton kufirin e ri lindor të NATO-s, ka investuar për vite të tëra në forcimin e kapaciteteve të saj të mbrojtjes ajrore, të cilat ende mbështeten pjesërisht në sistemet e epokës sovjetike si raketat e mbrojtjes ajrore OSA dhe Kub.

“Në dekadën e ardhshme, Polonia duhet të ketë një sistem të teknologjisë së fundit të mbrojtjes ajrore,” tha për “Polityka Insight”, Marek Swierczynski, një analist i mbrojtjes.

Megjithatë, zbatimi i këtyre sistemeve është i ngadalshëm dhe mund të duhen vite që të bëhen plotësisht funksional.

“Polonia ka marrë mbështetje shtesë nga Uashingtoni në muajt e fundit, por sisteme të tilla si njësitë e zjarrit Patriot të stacionuara në Rzeszow, nuk janë mjaftueshëm reaktivë dhe me shtrirje të gjerë për të monitoruar çdo hendek në mbrojtje në krahun lindor. Ky është paradoksi: pavarësisht se sa shpenzohet për një sistem të tillë të mbrojtjes ajrore, nuk arrin të ndërtosh diçka që është 100% e padepërtueshme, kështu që gjithmonë ekziston mundësia që të krijohet një situatë e tillë”, tha zoti Swierczynski.