fbpx

Qeveria vendos reciprocitet ndaj Serbisë sa u përket letërnjoftimeve

HomeLajmeKosovë

Qeveria vendos reciprocitet ndaj Serbisë sa u përket letërnjoftimeve

Qeveria e Kosovës ka vendosur reciprocitet sa i përket letërnjoftimeve për hyrje të shtetasve të Serbisë në Kosovë.

Në mbledhjen elektronike, e cila është mbajtur sot, Qeveria Kurti II ka vendosur që me qytetarët serbë të veprojë njësoj sikur Serbia ka vepruar ndaj qytetarëve të Kosovës deri më tash.

“Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore”, është thënë në komunikatën për media të Qeverisë.

Po i njëjti veprim është bërë nga Republika e Serbisë prej nisjes së zbatimit të marrëveshjes për lëvizje të lirë të nënshkruar në Bruksel vite më parë.

Ndërkohë, veprimi i Qeverisë Kurti II ndodh pas vizitës së emisarit special për dialog, z. Miroslav Lajçak, dhe nënshkrimit të udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjeve për energji të viteve 2013 dhe 2015.

Po ashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur edhe një afat të fundit për targat, të cilat lëshohet nga institucionet e Serbisë.

“Me vendimin e parë të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS. Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë më datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 31.09.2022. Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, është thënë në njoftim.

“Gjithashtu, sipas vendimit, automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga data 01.08.2022. Mekanizmi i tillë do të vlejë deri me 31.10.2022”, shkruhet më tej në komunikatë.

Lajçak u shpreh se Kurti do të bënte një njoftim të rëndësishëm sa u përket targave gjatë konferencës së tij për medie.

Në anën tjetër, kjo është paralajmëruar javën e kaluar edhe nga zv. Kryeminsitri Besnik Bislimi në një intervistë televizive.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti kishte premtuar vendosjen e Reciprocitetit të plotë tregtar, ekonomik dhe politik ndaj Serbisë qysh më 12 shkurt të vitit 2021.

COMMENTS

x