Qeveria vazhdon subvencionet për rrymën e kursyer, shtrenjëtimi i saj ndodh nga 1 prilli

6 minutes, 21 seconds Read

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për subvencionimin e faturave të konsumatorëve që kursejnë energji elektrike, “do të vazhdojë të jetë në fuqi deri në një njoftim të ardhshëm”.

Kështu iu përgjigjën zyrtarë të ekzekutivit pyetjes së Radios Evropa e Lirë se deri kur do të subvencionohen këto fatura, marrë parasysh paralajmërimet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për mundësinë e ngritjes së tarifave të rrymës, nisur nga data 1 prill.

Në bazë të vlerësimeve preliminare, tarifat mund të rriten për 14 për qind, thanë nga ZRRE-ja, megjithëse vendimi është ende në fazën e konsultimeve.

Nga Qeveria nuk deshën të flasin për ngritjen e mundshme të tarifave, duke thënë se “duhet pritur vendimi përfundimtar”.

Nga muaji shtator i vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar faturat e konsumatorëve, të cilët kanë kursyer së paku 5 për qind të energjisë së konsumuar në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Këta konsumatorë kanë përfituar dyfishin e përqindjes së kursyer.

Vendimi në mars

Zyra e Rregullatorit për Energji lidhur me vlerësimet preliminare për rritjen e tarifave, tashmë ka pranuar komentet nga: Operatorit i Sistemit të Transmisionit të Tregut (KOSTT), Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Zyra e Presidentes dhe Zyra e Kryeministrit.

“ZRRE-ja është në proces të vlerësimit të komenteve të pranuara nga palët e interesuara dhe pas analizimit të tyre do të publikojë raportin përfundimtar me përgjigje ndaj palëve”, thuhet në deklaratën e ZRRE-së.

Sipas saj, vendimi përfundimtar për ngritjen ose jo të faturave do të merret në mars.

Çka thonë qytetarët?

Disa qytetarë të anketuar në Prishtinë thonë se ngritja e tarifave të energjisë elektrike do të ndikojë negativisht në ekonomitë e tyre familjare.

Berat Simnica thotë se nëse ngritja arrin në 14 për qind, ajo do të prekë “xhepin e varfër të qytetarëve”.

“Edhe ashtu ka qenë e shtrenjtë [energjia elektrike]. Por, tash, edhe ky 14 përqindësh, sado që duket i vogël, ndikon negativisht në buxhetin e familjes. E rëndon buxhetin e familjeve në Kosovë. Ne për çdo ditë po ballafaqohemi me kriza ekonomike. Jam i bindur se shtrenjtimi i rrymës ndikon edhe në çmimet e artikujve të tjerë ushqimorë dhe në koston e jetesës”, thotë Simnica.

Bukurije Gjonbalaj, e cila jeton vetëm me fëmijën e saj, thotë se shtrenjtimi eventual i rrymës do t’ia vështirësojë situatën ekonomike.

“Në këtë situatë, në të cilën është shoqëria jonë, ku nuk ka pasur rritje të pagave, nuk ka pasur zhvillime tjera në kuptimin pozitiv për ekonominë tonë, rritja [e tarifave të energjisë elektrike] do të ishte shumë e madhe. Pra, edhe për ekonominë e shtëpisë sime, ku jetoj vetëm me një fëmijë, është shumë e rëndë, me një pagë… Nuk po flas këtu për shpenzime të luksit, por për ato bazike”, thotë Gjonbalaj.

Imer Hakaj pret që ngritja eventuale e tarifave të energjisë elektrike t’i rrisë edhe çmimet e artikujve të tjerë të konsumit të përditshëm.

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet kompetente duhet ta kenë parasysh gjendjen e rëndë në Kosovë, të cilën e kemi sot. Duhet të ndërhyjnë dhe të shohin ndonjë mundësi financimi ose diçka tjetër, sepse për familjet në Kosovë është bërë gjithçka e papërballueshme për jetesë. Familjet në Kosovë nuk kanë qenë kurrë më të lodhura se tash”, thotë Hakaj.

Kosova e ka përmbyllur vitin 2022 me normë mesatare të inflacionit rreth 12 për qind dhe me pagë mesatare rreth 480 euro.

Paga minimale sillet nga 130 deri në 170 euro, ndërsa pensionet nga 100 deri në 265 euro.

Aktualisht, konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë rrymë në orë brenda një muaji, paguajnë 12.5 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta, ndërsa 5.9 centë gjatë tarifave të ulëta. Konsumatorët që shpenzojnë më pak, paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.

Tarifat aktuale të energjisë elektrike do të jenë të vlefshme deri më 31 mars.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e tarifave çdo vit. ​

KEDS-i hesht 

Ngritjen e tarifave të energjisë elektrike e kërkoi Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe kërkesë e saj ishte që ngritja të jetë për 55 për qind.

Kjo kompani nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se çfarë e ka shtyrë të kërkojë këtë rritje.

Por, përmes një deklarate më 8 shkurt, KEDS-i e ka justifikuar kërkesën për ngritje të tarifave të rrymës me ngritjen e çmimit të rrymës së importuar, si dhe me pamundësinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit.

“Mosreflektimi i duhur rrezikon pozitën financiare të KEDS-it, e njëherësh rrezikon edhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike në vend”, është thënë në këtë kërkesë.

Aktualisht, Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë. Diferencën, ajo e importon nga jashtë.

Kosova importon rrymën sipas çmimit të energjisë elektrike në bursën hungareze HUPX.

Në gushtin e vitit 2021, çmimi ishte 150 euro për megavat. Në muajin gusht të vitit 2022, çmimi arriti në rreth 430 euro për megavat, por më vonë u stabilizua në rreth 260 euro.

Më 7 mars të vitit 2023, çmimi për megavat në bursën HUPX ishte 142 euro.

Ramosaj: Ngritja nuk është e lartë, por efekti i madh

Duke u bazuar në lëvizjet globale të çmimeve, “ngritja e tarifave të energjisë elektrike për 14 për qind nuk është e lartë”, thotë Berim Ramosaj, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës.

Por, bazuar në strukturën e popullsisë në Kosovë dhe gjendjen e saj ekonomike, ngritja e tarifave të energjisë elektrike ngre pikëpyetje të mëdha për mundësinë e përballimit, thotë Ramosaj. ​

“Në qoftë se ka argumente të fuqishme ZRRE-ja, se janë ngritur çmimet, atëherë Qeveria do të duhej ta lejonte këtë ngritje të çmimeve. Por, gjithashtu, duhet t’i subvencionojë ato familje, të cilat kanë të ardhura të ulëta, respektivisht ato shtresa të popullsisë, të cilat vërtet nuk kanë pasur rritje të të ardhurave”, thotë Ramosaj.

Ramosaj shton se nëse ngritja e tarifave të energjisë elektrike për 14 për qind do të jetë lineare – pra, për të gjithë konsumatorët – atëherë për sipërmarrjet prodhuese, të cilat janë shpenzuese të mëdha të energjisë elektrike, do të ketë rritje të kostos së prodhimit apo shërbimeve të tyre.

Kjo, sipas tij, do të shkaktojë efekt zinxhiror dhe do të ketë rritje të çmimeve edhe për produktet e konsumit të përgjithshëm.

Pasojat, thotë Ramosaj, do t’i vuajnë më së shumti kategoritë sociale me të ardhura të ulëta.

“Pavarësisht rritjes së çmimeve, në kushte normale, Qeveria do të ishte dashur që t’i subvencionojë ato kategori”, thotë ai.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, ka thënë më 3 shkurt se nga subvencionet e Qeverisë për rrymën, kanë përfituar mbi 200 mijë familje. /rel

Publikime te ngjashme