Qeveria merr 23 vendime sot! Nga gota me ujë në kafene, deri tek sanksionet e reja kundër Rusisë

HomeLajmeKosovë

Qeveria merr 23 vendime sot! Nga gota me ujë në kafene, deri tek sanksionet e reja kundër Rusisë

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka marrë 23 vendime nga fusha të ndryshme.

Si vendimi më i rëndësishëm i kësaj mbledhje konsiderohet të jetë emërimi i bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, duke e ditur se qe një kohë ky bord ishte jofunksional.

Pas këtij vendimi, ekzekutivi ka marrë edhe një vendim goxha interesant. Lokalet e gastronomisë obligohen që të shërbejnë ujë nga çezma për klientët e tyre.

Dhë një vendim tjetër ka të bëjë me fushën e arsimit. Në këtë mbledhje u miratua Projektligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, i cili rregullon ofrimin e edukimit cilësor, gjithëpërfshirës në të gjitha format deri në moshën 6 vjeçare.

Po ashtu është ndryshuar dhe plotësuar vendimi për sanksionet ndaj Rusisë, si shkak i luftës mbi Ukrainën.

Të gjitha vendimet e sotme të qeverisë:

U miratua Projektligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme

U miratua Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për financim të Politikave Zhvillimore për Financa Publike dhe rritje të qëndrueshme, ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. Marrëveshja siguron një kredi financiare në vlerë prej 50.6 milionë eurove.

U miratua Projektligji për Antidopingun. Ky ligj përcakton rregullat themelore dhe mekanizmat që luftojnë përdorimin e substancave dhe metodave të dopingut në sport për të mbrojtur shëndetin e sportistëve

Është dhënë mendim për nismën Legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Noterinë.

U shqyrtua dhe miratua Strategjia e Sigurisë së Kosovës për vitet 2022-2027.

Është miratuar Platforma Vjetore e Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë.

Është është miratuar Udhëzimi Administrativ për masat për mbrojtjen e fëmijës kundër faqeve të internetit me përmbajtje pornografike dhe të atyre që dëmtojnë shëndetin dhe jetën e fëmijës.

Eshtë ndryshuar dhe plotësuar Vendimi i Qeverisë Nr. 02/ 78, i datës 16 maj 2022, “Për zbatimin nga Republika e Kosovës të vendimeve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për vendosje të sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, në raport me situatën në Ukrainë”.

Ka marrë miratimin e Qeverisë Bordi Drejtues i Fondit për Sigurime Shëndetësore (FSSH), në këtë përbërje:

1. Znj. Dafina Gexha – Bunjaku, Ministria e Shëndetësisë;

2. Z. Ahmet Ismaili, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve;

3. Z. Klit Shala, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve;

4. Z. Kastriot Meqa, Përfaqësues i Odës së profesionistëve shëndetësorë;

5. Znj. Agreta Gashi, Përfaqësuese e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës;

6. Z. Fahri Shabani, Përfaqësues i Asociacionit të Komunave të Kosovës;

7. Z. Muhamedali Kodra, Përfaqësues i Shoqatës së Pacientëve;

Është miratuar vendimi i cili obligon bizneset për shërbimin e klientëve me ujë nga rubineti, dhe monitorimin e cilësisë së ujit të destinuar për konsum njerëzor në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohen nga ujësjellësi publik.

Yll Rugova / Qeveria vendosi për gotën e ujit në kafeteri e lokale – Një anëtar i VV-së e nisi temën para tri vitesh
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 18/73 të datës 30 prill 2022. Sipas ndryshimit dhe plotësimit të këtij vendimi, Vendimi Nr. 11/55 për Komunën e Hanit të Elezit i mbledhjes së 55 të datës 06.07.2018, mbetet në fuqi me arsyetimin se këto prona janë dhënë në shfrytëzim për implementimin e planeve rregulluese dhe urbane në Komunën e Hanit të Elezit.

Është miratuar Raporti i Performancës për Ndërmarrjet Publike Qendrore për vitin 2020 i cili do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Është miratuar Raporti i Konsoliduar Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Subjektet e Sektorit Publik për vitin 2021.

Është miratuar vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve që të nënshkruajë Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Fiscalis” për periudhën 2021-2027 dhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Customs” për periudhën 2021-2027.

Gjashtë (6) nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare për ripranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim janë miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Pas shqyrtimit ka marrë miratimin edhe Koncept-Dokumenti për Regjistrin e Pronarëve Përfitues.

Është miratuar vendimi për hartimin e Programit për Reforma Ekonomike, i cili përditësohet çdo vit dhe është pjesë e dialogut Kosovë-BE.

COMMENTS

x