fbpx

Qeveria Kurti la pa paga 45 mijë familje – Krasniqi: Kjo është vepër penale, është shkelje ligjore

HomeLajmeKosovë

Qeveria Kurti la pa paga 45 mijë familje – Krasniqi: Kjo është vepër penale, është shkelje ligjore

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës me të cilët ka diskutuar për vendimin e Qeverisë së Kosovës për mosekzekutim të pagave për muajin gusht.

Krasniqi duke kritikuar Qeverinë për qasje autoritare dhe diktatoriale, tha se kjo sjellje arrogante ndaj mësimdhënësve dhe zyrtarëve publikë, është e paparë në historinë e vendit tonë.

“Nuk ka ndarje mes prindërve dhe mësimdhënësve. Mësimdhënësit janë prindërit tanë. Mësimdhënësit janë prindër po ashtu. Dyert e shkollave me 1 shtator i ka mbyllur Albin Kurti, nuk i kanë mbyllur mësimdhënësit. Sepse, Albin Kurti si kryeministër i ka pasur të gjitha mundësitë, që duke dialoguar më sindikalistët të gjejë zgjidhje, të ofrojë mundësi në këtë krizë të jashtëzakonshme ekonomike, të cilën po e kalojnë të gjitha familjet e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi tutje ka shtuar se askush nuk ka të drejtë t’i ndalë pagat e sindikalistëve, aq më pak në këtë periudhë kur familjet kosovarë po përballen me rritje të çmimeve dhe mungesë të energjisë elektrike.

“Mosekzekutimi i pagave është vepër penale, është shkelje ligjore. Sot Qeveria e Albin Kurtit me minsitrin Hekuran Murati i kanë privuar rreth 45 mijë familje prej pagave të tyre”, ka vazhdua tutje ai.

Krasniqi ka deklaruar se do të inicojë seancë të jashtëzakonshme për të mundësuar kthimin e ligjshmërisë në vend, në rast se nuk bëhet ndonjë zgjidhje.

“Nëse një gjë e tillë nuk ndodhë deri në fillim të javës së ardhshme, ne do të iniciojmë kthimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, do të inicojmë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të marrë veprime të tjera, të cilat do të mundësojnë kthimin e ligjshmërisë në këtë vend. Le ta din Albin Kurti që kurrë nuk ka me guxu as nuk ka me u leju me e kthy Kosovën në diktaturë”, theksoi kryetari i PDK-së.

x