Pse u rikthye frika e një krize financiare bankare?

5 minutes, 14 seconds Read

Credit Suisse, një bankë e madhe evropiane 167-vjeçare, ishte në prag të kolapsit të mërkurën.

Pas shitjes më të madhe njëditore të bankës ndonjëherë, drejtuesit e Credit Suisse u takuan me autoritetet zvicerane për të diskutuar opsionet e stabilizimit të bankës.

Në fund të asaj dite, banka qendrore dhe rregullatori kombëtar i tregut financiar lëshuan një deklaratë të përbashkët duke thënë se do të ofronin ndihmë financiare për bankën nëse do të ishte e nevojshme, duke theksuar rëndësinë e saj për sistemin më të gjerë financiar, shkruan CNN.

Wall Street po bëhej gati të mbyllej…

E gjithë kjo ndodhi në kohën kur Wall Street po bëhej gati të mbyllej.

Aksionet e mbyllën ditën me “të kuqe”, e cila u shkaktua nga bilancet e bankave të vogla dhe të mëdha.

Bota financiare ishte “pezull”, duke pritur për të parë se si do të zhvillohej kriza e Credit Suisse, transmeton Telegrafi.

Është e vështirë të vlerësohen pasojat nëse Credit Suisse – me asetet e saj prej gjysmë trilion dollarësh dhe më shumë se 50 mijë punonjës në mbarë botën – do të dështonte.

Falimentimi gjatë javës së kaluar i Silicon Valley Bank dhe Signature Bank, dy banka rajonale dukshëm më të vogla, tronditi besimin e investitorëve në mbarë botën.

Credit Suisse, një nga huadhënësit më të mëdhenj të Evropës, “është shumë më e lidhur globalisht, me filiale të shumta jashtë Zvicrës, përfshirë në SHBA”, shkroi Andrew Kenningham, krye-ekonomist për Evropën në Capital Economics.

Ai shtoi se “Credit Suisse nuk është vetëm një problem zviceran, por një problem global”.

Credit Suisse njihet si një “bankë e rëndësishme globale” ose G-SIB.

Kur një nga ato megabanka futet në telashe, njerëzit fillojnë të pyesin se çfarë po ndodh me sistemin dhe fillojnë të spekulojnë se kush mund të jetë i pari që do të bjerë.

Edhe me ndihmën financiare nga autoritetet zvicerane, ka ende shumë rreziqe dhe të panjohura që burojnë nga Credit Suisse, duke i mbajtur investitorët në këmbë.

Trazirat në Credit Suisse tregojnë se kriza nuk është e kontrolluar, tha Arthur Wilmarth, profesor në Shkollën Juridike George Washington.

“Mendoj se është naivitet të mendohet se situata do të prek vetëm disa banka rajonale, sepse shihet qartë se tronditjet po jehojnë në sistemin bankar, që do të thotë se ato potencialisht mund të shtrihen në bankat më të mëdha”, tha ai.

Si lidhen Credit Suisse dhe Silicon Valley Bank?

Teknikisht nuk janë. Por psikologjia e tufës është një forcë shumë e fuqishme në botën me ritme të shpejta të tregjeve financiare.

Credit Suisse po përballet me probleme të palidhura që kanë zier prej vitesh dhe rastësisht u përshkallëzuan në të njëjtën kohë që autoritetet amerikane duhej të shpëtonin nga SVB dhe Signature.

“Credit Suisse ka qenë një problem që po zhvillohej prej vitesh, por lajmet e sotme janë, natyrisht, në kontekstin e SVB”, shkroi Peter Boockvar, shefi i investimeve në Bleakley Financial Group.

Rezultati është shumë shqetësues për sektorin bankar në të dyja anët e Atlantikut.

Çfarë ndodhi me SVB?

Si banka e preferuar për sektorin e teknologjisë, shërbimet e SVB ishin në kërkesë të ‘nxehtë’ gjatë gjithë viteve të pandemisë.

Goditja fillestare e tregut nga Covid-19 në fillim të vitit 2020 e la shpejt vendin një periudhe të artë për startup-et dhe kompanitë e themeluara të teknologjisë, pasi konsumatorët shpenzuan shumë për pajisje dhe shërbime digjitale.

Shumë kompani teknologjike përdorën SVB për të mbajtur paratë që përdorën për listën e pagave dhe shpenzimet e tjera të biznesit, duke çuar në një fluks depozitash. Banka investoi një pjesë të madhe të depozitave, siç bëjnë bankat.

“Farat” e rënies së saj u mbollën kur ajo investoi shumë në obligacionet e qeverisë amerikane me afat të gjatë, duke përfshirë ato të mbështetura nga hipotekat. Këto ishin, për të gjitha qëllimet, të sigurta si shtëpitë.

Por obligacionet kanë një marrëdhënie të anasjelltë me normat e interesit; kur normat rriten, çmimet e bonove bien. Pra, kur Rezerva Federale filloi të rrisë me shpejtësi normat për të luftuar inflacionin, portofoli i obligacioneve të SVB filloi të humb vlerën e konsiderueshme.

Nëse SVB do të ishte në gjendje t’i mbante ato obligacione për disa vite deri sa të maturoheshin, atëherë do të merrte kapitalin e saj. Megjithatë, ndërsa kushtet ekonomike u përkeqësuan gjatë vitit të kaluar, me kompanitë e teknologjisë të prekura veçanërisht, shumë nga klientët e bankës filluan të tërheqin depozitat e tyre.

SVB nuk kishte para të mjaftueshme në dorë, dhe kështu filloi të shiste disa nga obligacionet e saj me humbje të mëdha, duke frikësuar investitorët dhe klientët.

U deshën vetëm 48 orë midis kohës kur zbuloi se kishte shitur asetet dhe rënies së saj.

Përfundimi

Rënia e Silicon Valley Bank nuk shkaktoi dështimin e Credit Suisse, por e vuri bankën zvicerane nën një vëzhgim edhe më intensiv.

Dhe mund të ketë nxitur shitjen që e gjunjëzoi Credit Suisse.

Bankat evropiane dhe amerikane përballen me faktorë të ngjashëm mjedisorë makroekonomikë.

Pas vitesh me norma interesi ekstra të ulëta (dhe në rastin e Evropës, madje edhe negative), “yield” e obligacioneve të qeverisë, duke përfshirë obligacionet sovrane, janë rritur ndjeshëm, duke ulur vlerën e aktiveve bazë të bankave.

“Ngjarjet e sotme demonstrojnë se ka dobësi të shumta në sistemin financiar të SHBA-së dhe atë botëror. Këto ngjarje ilustron edhe një herë se rregullimi dhe mbikëqyrja e institucioneve më të mëdha financiare në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën, është ende i pamjaftueshëm, kryesisht për shkak të lobimit të suksesshëm të industrisë financiare”, tha CEO i Better Markets, Dennis M. Kelleher./Telegrafi

Publikime te ngjashme