Connect with us

Foto Lajm

Promovohet libri “Rrënjët e fisit të lashtë“ i Haki Latifit

Publikuar

me

Libri “Rrënjët e fisit të lashtë“ i autorit Haki Latifi është promovuar sot në Prizren, në praninë e shumë miqve, intelektualëve, shkrimtarëve, figurave të jetës sociale e politike, mërgimtarëve, përfaqësuesve të medias, etj. Është një përmbledhje poetike e autorit, e botuar nga shtëpia botuese “Fidani”.  Recensent i librit është Skënder Zogaj, lektor Musa Bushrani, Berat Batiu – konsulent për përgatitjen teknike, ndërsa Dafina Latifi është kujdesur për pamjen e kopertinës.

Në promovim shkrimtarja dhe poetja nga Tirana Merita Kuçi me kumtesën e saj i ka bërë një analizë profesionale librit duke e çmuar lartë krijimtarinë poetike të autorit.

Poeti e kritiku letrar Skënder Zogaj, e ka bërë recensionin dhe ka dhënë vlerësime të shumta për librin. Berat Batiu e ka përshëndetur botimin e librit dhe i ka dëshiruar urime autorit dhe vazhdimësi të suksesshme në veprimtarinë krijuese. Haki Latifi ka lindur në Piranë/Prizren, ka kryer studimet për Gjuhë e Letërsi,  ka punuar  arsimtar në vendlindje. Prej dekadash është i vendosur në Zvicër, ku ka një veprimtari shumë të begatë atdhetare, si aktivist i madh në përpjekjen çlirimtare të Kosovës. Në vazhdimësi ka dhënë kontribut shumë të vlefshëm edhe nëpërmjet shkrimeve publicistike.

Më poshtë mund të lexoni fjalën e Haki Latifit gjatë promovimit të librit “Rrënjët e fisit të lashtë”:

Të nderuar pjesëmarrës,  miq të dashur, të afërm dhe dashamirë të librit!

Sot nuk e kam të lehtë të flasë para jush sepse, çaste të tilla nuk janë të shpeshta sidomos për një krijues që vjen nga mërgimi siç jam unë.

Takimi i sotëm me ju, është përjetim dhe ushqim shpirtëror për mua si një autor i ri, ku në të cilën një pjesë të jetës time djaloshare e kam kaluar në Prizrenin tonë të dashur.

Jam shumë i lumtur që jam në Prizren për promovimin e librit tim, organizuar nga Libraria «ALTERA» dhe Shoqata për Kulturë dhe Art, «FIDANI» dhe gëzohem shumë që kam ardhur këtu për një nder të madh që është i papritur për mua. Ndaj ju falënderoj shumë.

Libri im derdhur në vargje, „RRËNJET E FISIT TË LASHTË“, është libri im i parë me poezi, botuar nga Shtëpia Botuese „Fidani“ në Prizren, për çka iu jam mirënjohës pafund; Redaktorit, Skënder Zogaj, për redaktimin dhe parathënien profesionale të vlerësimit. Në veçanti, për inkurajimin dhe dashurinë të pafund që tregon për krijimtarinë time.

Po ashtu, falënderoj nga zemra lektorin, z. Musa Bushrani dhe z.Berat Batiu për konsultimet dhe përgatitjen teknike, si dhe mbesën time Dafina Latifi për ballinën e librit.

Falënderoj përzemërsisht zonjën Merita Kuçi, për kumtesën dhe ardhjen enkas nga Tirana për të më nderuar me pjesëmarrjen e saj.

Pas këtyre vlerësimeve m‘u duk se i harrova mendimet e mia personale ndër vite, fjalët e mia janë të zbehta kur jam në mesin tuaj.

Ky libër i ri është një kapitull i ri në jetën time letrare dhe pres me padurim  vlerësimet e lexuesve.

Sepse, krijuesi është një qenie ku mendjen e vet e shpërndan në mijëra mendje siç janë lexuesit.

Mbretëria e ëndrrave është mbretëri letrare ku s’ kanë pushtet të pushtetshmit e ku ëndrrat e njerëzve të lirë gjunjëzojnë edhe perandorët.

Ju faleminderit që keni gjetë kohë për të më nderuar me pjesëmarrjen tuaj.

Në emrin tim dhe të familjes sime ju falënderoj përzemërsisht, me dëshirën dhe lutjen e madhe për ju!

Ju uroj çdo të mirë në jetë dhe urime festat e fund vitit!

Reklama