fbpx

Projektligji dypartiak amerikan për rajonin, e mbeshtet iniciativën e “Open Balkan”

HomeLajmeRajoni

Projektligji dypartiak amerikan për rajonin, e mbeshtet iniciativën e “Open Balkan”

Legjislacioni i ri i dërguar në Senatin amerikan para më se një muaji nga senatorët republikanë e demokratë amerikanë për të fuqizuar lidhjet në aspekte të sigurisë dhe ekonomike me Ballkanin Perëndimor, përfshinë edhe mbështetje të iniciativës rajonale të “Open Balkan”.

Projektligji i ri amerikan, i quajtur “Akti i Demokracisë dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor” erdhi në dritë të parandalimit të penetrimit të mëtejmë rus në rajon, sidomos pas invazionit të Ukrainës.

Në tekstin e projektligjit, përkatësisht në listimin e gjetjeve, thuhet se Ballkani Perëndimor “ndonëse ka progres ekonomik”, nivel i papunësisë dhe varfëria janë më te larta se në Bashkimin Evropian.

Në linjë me këtë Projektligji shpreh mbështetje ndaj iniciativave ekonomike rajonale.

“Përpjekjet ekonomike ekzistuese rajonale, si Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Ballkani i Hapur, kanë potencial për të përmirësuar gjendjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, duke promovuar përfshirje dhe transparencë”, thuhet në paragrafin e 9’të të tekstit.

Në seksionin e “strategjisë pesëvjeçare për zhvillim demokratik dhe qëndrueshmërisë demokratike në Ballkanin Perëndimor”, përsëri trajtohet çështja e mbështetjes të iniciativës rajonale të Ballkanit të Hapur, përcjell “Reporteri.net”.

“Jo më larg se 180 ditë që nga data e miratimit të këtij Akti, Sekretari i Shtetit dhe Administratori i Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar i Shteteve të Bashkuara, në koordinim me Sekretarinë e Thesarit, Sekretarin e Tregtisë, si dhe Kryezyrtarin Ekzekutiv të Korporatës për Zhvillim Financiar, do t’u paraqesë komiteteve përkatëse të kongresit një strategji të zhvillimit ekonomik rajonal dhe qëndrueshmërisë demokratike për Ballkanin Perëndimor që konsideron […] efektivitetin e iniciativave ekzistuese rajonale, si Ballkani i Hapur dhe Tregu i Përbashkët Rajonal, si mënyrat për të rritur tregtinë e Shteteve të Bashkuara me Ballkanin Perëndimor”, thuhet në tekst.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kaherë e kanë mbështetur iniciativën rajonale të Ballkanit të Hapur derisa kanë kërkuar që ajo të përfshijë të gjitha shtetet e Ballkanit Çerënidmor.

“Ne mbështesim të gjitha përpjekjet për integrim ekonomik të rajonit. Procesin e Berlinit, Tregun e Përbashkët Rajonal, CEFTA-n dhe Ballkanin e Hapur”, ishte shprehur zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar.

“Për sa kohë që janë të hapura për të gjitha vendet, për sa kohë që siguron sisteme ligjore dhe rregullative dhe i ngrit në nivel evropiane, për sa kohë që promovon drejtësi, treg të hapur, ne do t’i mbështesim në parim”, shprehej emisari amerikan.

Me gjithë kërkesën për gjithpërfshirje, amerikanët ishin shprehur edhe se në asnjë mënyrë Ballkani i Hapur s’bën të jetë substitut për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi nuk bëjnë pjesë në iniciativën rajonale të Ballkanit të Hapur./Reporteri.net

x