fbpx

Prizren, dëshmitari tregon si ia shiti të akuzuarit eksplozivin nga shpërthimi i të cilit u vra një e u plagosën dy policë

HomeLajmeKosovë

Prizren, dëshmitari tregon si ia shiti të akuzuarit eksplozivin nga shpërthimi i të cilit u vra një e u plagosën dy policë

I akuzuari Iran Badalli në Gjykatën e Prizrenit të martën është ballafaquar me dëshminë e dëshmitarit Valbon Çollaku.

Një polic i Kosovës ka mbetur i vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur në incidentin që ka ndodhur në janar të vitit 2020 në fshatin Zhur të Prizrenit, kur po kryhej një bastisje.

Në shtëpinë e tashmë të akuzuarit Iran Badalli pas një thirrjeje për dhunë në familje njësitet policore hasën në një eksploziv, nga shpërthimi i të cilit u vra polici Sami Thaçi.

Dëshmitari Valbon Çollaku ka deklaruar se Iran Badallit dhe Arben Gashit i ka dhënë material eksplodues.

“Irani i ka marrë kapsollat, kurse eksplozivin e ka marrë ndihmës shoferi që e ka futur nën karrige të makinës, por nuk po më kujtohet se cili ka qenë ai person” – tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se ky eksploziv i ishte dhënë Badallit për të thyer gurë.

“Unë besimin e kam pasë te shoku i jem i luftës, Ramiu… Ai më tha:”Kryja këtë punë Valbon se dojnë me thy gurë dhe bëjnë pagesë të mirë”. Unë i kam thënë se nëse ka nevojë shkoj vetë ia kryej punët me mjete hidraulike. Por, ai me ka thënë se i duhet eksplozivi” – deklaroi dëshmitari.

Dëshmitari u shpreh se këto kapsolla i ka marrë në Shqipëri nga disa minatorë që thyejnë gurë.

Ai ka shpjeguar edhe mënyrën e funksionimit të mjetit plasës.

“Eksplozivi dhe kapsollat duhet të bashkohen që të ekziston mundësia deri në 80 cm distancë që të aktivizohet kapsolla” – tha Çollaku.

Paraprakisht në këtë gjykim, Esat Gutaj, avokat i Arben Gashit, ka bërë vërejtje lidhur me pyetjet e parashtruara nga ana e Besnik Berishës pasi pyetjet sipas Gutajt nuk kanë të bëjnë me objektin e akuzës.

“Përfaqësuesi i të dëmtuarës duhet të orientohet në objektin e  akuzës dhe këtë e shoh krejt të tepërt si zvarritje, pyetje që nuk kanë të bëjnë më çështjen kryesore se si mund të shkrepet arma-eksplozivi, apo ku i ka ble. Sepse, kjo nuk na ndihmon asgjë” – ka thënë avokati Esat Gutaj.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për më 1 nëntor 2022.

Sipas Prokurorisë, Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020, në Prizren, janë furnizuar nga Valbon Çollaku me mjete eksplozive dhe të njëjtin mjet e kanë fshehur në shtëpinë e Iran Badallit.

Aktakuza thotë se pas kontrollit të shtëpisë nga Njësiti për Trafikimin me Narkotikë, mjeti ka eksploduar dhe si pasojë ka vdekur zyrtari policor Sami Thaçi, ndërsa tre zyrtarë të tjerë policorë ishin lënduar rëndë.

Në aktakuzë thuhet se edhe fëmija i të akuzuarit Iran Badalli kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Sipas aktakuzës, Badalli dhe Gashi akuzohen se kanë mbajtur edhe eksploziv “TNT” në peshë prej 809.1 gramësh dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 centimetra.

Ndërsa, i akuzuari Valbon Çollaku, ishte akuzuar se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të akuzuarve Iran Badallit dhe Arben Gashit ua kishte shitur për 400 euro.

Çollaku kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, pasi që paraprakisht i njëjti ishte shpallur edhe dëshmitar bashkëpunues për zbardhjen e ngjarjes.

Gjykata në Prizren të akuzuarit Valbon Çollaku i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 euro dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda 2 vitesh.

Ndërkaq, gjykimi po vazhdon vetëm ndaj dy të akuzuarve, Iran Badallit dhe Arben Gashit, të cilët nga Prokuroria po akuzohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, i cili ka rezultuar me vdekjen e një personi dhe armëmbajtje pa leje, raporton Kallxo.