fbpx

Prindërit kërkojnë fillimin e mësimit, SBASHK-u nuk tërhiqet nga greva

HomeLajmeKosovë

Prindërit kërkojnë fillimin e mësimit, SBASHK-u nuk tërhiqet nga greva

Këshilli i Prindërve të Kosovës, nesër do të mbajë një takim ku pritet të vendosët për hapat e mëtutjeshëm që nga dita e hënë fëmijët të kthehen në shkolla. Ndërkohë, drejtues të Sindikatës së Arsimit kanë bërë të ditur që greva do vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë.

Përkundër kërkesës së përfaqësuesve të institucioneve dhe prindërve për ndërprerje të grevës, ajo po vazhdon ende. Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi, tha për Radio Kosovën se të shtunën do të mbahet një takim i Këshillit të Prindërve dhe nëse deri atëherë nuk ka ndonjë lëvizje nga ana e Qeverisë dhe Sindikatës së Arsimit, Këshilli do të marrë vendim për hapat e mëtutjeshëm që fëmijët nga dita e hënë të kthehen në shkolla.

“Siç jeni njoftuar, nesër do të mbahet një takim i Këshillit të Prindërve për të shqyrtuar situatën dhe për të marrë vendim për hapa konkretë për kthimin e fëmijëve në shkolla që nga dita e hënë. Për këto detaje do të njoftojmë me kohë, por deri atëherë do të shohim mos ka ndonjë lëvizje në kuptimin e ndërprerjes se grevës dhe rikthimit të fëmijëve në shkolla”, tha Demi.

Po ashtu, Demi tha se sipas disa informacioneve nga mediat pritet të këtë një takim ndërmjet ministres së Arsimit, Arbëri Nagavci, dhe përfaqësuesve të Sindikatës së Arsimit, por ky takim nuk është i nivelit të dialogut siç kanë kërkuar sindikatat.

“ Kemi disa informacione të publikuar në media që priten takime ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Arsimit dhe po ashtu takime në nivele të ndryshme, por jo në kuptimin e dialogut social ashtu siç kanë kërkuar sindikatat”, tha ai.

Përfaqësues të Këshillit të Prindërve të Kosovës kanë bërë të ditur se njëra prej ideve kryesore, që pritet të konkretizohet pas mbledhjes së ardhshme, është që prindërit do të dërgojnë nxënësit në shkolla, dhe prindërit t’i organizojnë orët mësimore.

x