fbpx

Presidentja Osmani e pret Sveçlën në takim, flasin për zhvillimet e fundit në veri

HomeLajmeKosovë

Presidentja Osmani e pret Sveçlën në takim, flasin për zhvillimet e fundit në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të hënën me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Në njoftimin e Zyrës së Presidencës thuhet se Sveçla e ka njoftuar Osmanin për hapat e ndërmarra sa i përket sigurisë publike dhe mbarëvajtjes së funksionimit të institucioneve ligjzbatuese në veri.

“Presidentja Osmani ka qenë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e sigurisë në vend për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, është thënë më tej në njoftimin e Presidencës.

Pas suspendimit të drejtorit rajonal të Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, për shkak të mosrespektimit të vendimit që është marrë nga Qeveria sa i përket targave, tensionet në veri u rritën.

Përfaqësuesit serbë vendosën t’i bojkotojnë institucionet e Kosovës, duke dhënë dorëheqje nga pozitat që mbanin brenda tyre.

Dorëheqjen e kanë dorëzuar edhe kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.