Presidentja e dekreton Ligjin e Pagave

1 minute, 5 seconds Read

Presidentja Vjosa Osmani ka dekretuar sot Ligjin e Pagave.

Projektligji për Paga është miratuar në Kuvendin e Kosovës me 22 dhjetor të vitit të kaluar.

“Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, sot, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, Presidentja Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, po sot, më 4 janar 2023”, është deklaruar Bekim Kupina këshilltar për Media i Zyrës së Presidentit.

Qëllimi i këtij ligji është që të krijojë një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik, që përfshin parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në sektorin publik.

Pas dekretimit nga presidentja, ligji publikohet në gazetën zyrtare dhe një muaj më pas hyn në fuqi.

Për këtë ligj ishte paralajmëruar se do ta dërgonin në Gjykatë Kushtetuese. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, kishte thënë se në rast se me Ligjin për Paga parashihet ulja e pagave për gjyqtarët do t’i shikojë të gjitha mundësitë që këtë ligj ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Po ashtu, mbi 30 sindikata e organizata e kanë kundërshtuar ligjin.

Publikime te ngjashme