Presidenca tregon se çka u bisedua në takimin e Osmanit me Lajçakun

1 minute, 9 seconds Read

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti këtë të enjten në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Presidenca njofton se në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë.

“Me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar se Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për një proces, i cili i kontribuon paqes afatgjate, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, bëhet e ditur se Osmani potencoi se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës.

“Presidentja Osmani ka thënë se Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut dhe e koordinuar me partnerët e saj, ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese”.

“Presidentja Osmani gjithashtu ka mirëpritur vendimin e sotëm të Këshillit të Bashkimit Evropian ku në mënyrë unanime është miratuar e drejta e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar në shtetet e zonës Schengen pa vizë”, përfundon njoftimi.

Publikime te ngjashme