Pozhari: Albin Kurti është gjithçka që Edi Rama dhe Hashim Thaçi kurrë nuk do të jenë

HomeLajmeKosovë

Pozhari: Albin Kurti është gjithçka që Edi Rama dhe Hashim Thaçi kurrë nuk do të jenë

Analisti Xhevdet Pozhari përmes një shkrimi ka përshkruar situatën politike në vend, si dhe raportet Kosovë-Shqipëri për momentin.

Nëse Hashim Thaçi gjatë karrierës së tij politike u përpoq të përfitonte nga lavdia e UÇK-së, Rama në mungesë të një të kaluare të ndritshme, e shfrytëzoi atë që në masë të madhe i mungonte Thaçit – oratorinë. Si dy gjysmake, njëri pa elokuencë, e tjetri pa lavdi, bashkë ndjeheshin të plotë veçanërisht kur mjeti më i fortë që kishin në duar ishte i përbashkët – propaganda që ushtronin përmes medieve ndaj çdokujt që tentonte të thoshte se këta dy i bëjnë bashkë interesat e biznesit, e jo shqiptaria.

Për më shumë, shkrimi i tij i plotë:

Që nga koha kur Albin Kurti u bë kryeministër i Kosovës, Edi Rama nuk është duke gjetur qetësi. Kjo jo pse Rama e vuan fatin e Kosovës apo të Hashim Thaçit në Hagë, por ngaqë tashmë e ka kuptuar se përballë nuk do ta ketë më një homolog që ndjehet inferior përballë superioritetit të tij, siç ndjehej në të kaluarën “vëllamthi” i tij, Hashim Thaçi.

Pavarësisht se Hashim Thaçi asnjëherë nuk arriti që ta ketë fuqinë politike të cilën e kishte “vëllamthi” i tij Rama, për nga të bëmat u mundua që të jetë konkurrent i denjë i tij: gjatë kohës së pushteteve të tyre, shtetet shqiptare u bënë të pabanueshme. Andaj, jo rastësisht në Shqipëri qëmoti të porsalindurit i pagëzojnë me emra të huaj që kur të rriten sa më lehtë tua germëzojnë emrin në shtetet ku qindra mijëra të rinj u larguan dhe nuk u kthyen më kurrë. Kjo ngaqë që të gjithë thuajse e kuptuam se pushtetarë të llojit “Rama-Thaçi” i zhdukën nga fjalori politik fjalët “ndershmëri” dhe “përgjegjësi”.

Antagonist i modeleve të tilla të mbrapshta është pikërisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Vet prezenca e tij e bën edhe më dallueshme paturpësinë e atyre që qeverisën me dekada. Si e bardha mbi të zezën. Pastërtia e tij politike, e kaluara përplot sakrificë (para dhe pas luftës), intelekti dhe përgatitja e tij sot i lë në hije gjysmakët. Apo edhe i bën më të vërejtshëm ata që mendonin se mendje hapur tregohesh kur i gjunjëzohesh Vuçiqit dhe e harron të kaluarën dhe rrugën prej nga je nisur.

Por, e kaluara të ndjek kudo. Si hije. Siç e përndoqi edhe Hashim Thaçin i cili sot ndodhet në Hagë për shkak të presionin që ushtronte dikur për themelimin e Gjykatës Speciale derisa me naivitetin e tij besonte se ai kurrë nuk do të mund të përfundonte në ulëse e saj si i pandehur. E kaluara njëjtë do ta përndjek edhe Edi Ramën i cili përgjatë tre mandateve, Shqipërinë e shndërroi në narko-shtetin e vetëm në zemër të Evropës.

Në këto rrethana, Rama më mirë se kushdo tjetër e ka kuptuar se modeli i politikanit të Albin Kurtit është fundi i tij! Të tillë do të duhet të dukeshin krejt pushtetarët e ndershëm dhe të përgjegjshëm në të ardhmen. Dhe Rama e ka kuptuar se ai dhe Thaçi së shpejti do të mbeten e kaluar. E kaluar e turpshme që brezave të rinj do t’iu shërbejë si mësim se si nuk duhesh të bësh politikë!

COMMENTS

x