Connect with us

Kosovë

Politikani serb thotë se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm!

Publikuar

me

“Realiteti i Kosovës është Republika e Kosovës. Dhe kjo duhet t’i thuhet popullit. Haptas. Mjaft me rrena, mitomani e fshehje. Sa më parë që e pranojmë realitetin, aq më shpejt do të jemi në rrugën e së ardhmes”, ka shkruar të premten politikani opozitar në Serbi, Boban Bodganoviq, në një editorial për gazetën “Danas”.

Bogdanoviq është politikan opozitar në Serbi. Ai është kryetar i subjektit “Odgovor”. Më 14 dhjetor pati vizituar Kosovën, ku nënshkroi marrëveshje me nismën qytetare “Liri, Drejtësi, Mbijetesë” të ministrit të Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq.

Në kolumnen për “Danasin”, Bogdanoviq ka përshkruar takimin që kishte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Takimin e ka përshkruar si miqësor e të mirëkuptueshëm.

Bodganoviq është shprehur i habitur me qasjen diplomatike të Kurtit edhe kur i drejtohej presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Politikani serb ka thënë se me Kurtin kanë pasur pajtim se duhet më shumë angazhim opozitar serb në Kosovë.

Bodganoviq, që e cilëson veten përfaqësues të “gjeneratës së re të politikanëve serbë”, ka thënë se nuk dëshiron të fshihet prapa fakteve dhe se nuk i cilëson si tradhtarë ata që e pranojnë realitetin politik të Kosovës.

“Një sërë vendimesh politike në periudhën nga viti 1999 e deri më sot e njohin Kosovën, duke përfunduar me Marrëveshjen e Brukselit. Pushteti legjislativ dhe ekzekutiv janë nën juridiksionin e Republikës së Kosovës dhe gjithçka është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Çdo organizatë politike në Republikën e Kosovës është e regjistruar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e saj. Qytetarët e Kosovës mbrohen nga ligjet e Kosovës, qoftë nëse janë serbë, shqiptarë apo të komuniteteve tjera etnike. Këto janë fakte dhe unë, si përfaqësues i gjeneratës së re të politikanëve serbë, nuk dua të fshihem prapa fakteve dhe të akuzoj gjithkënd që e pranon realitetin politik të Kosovës se është tradhtar, siç bën presidenti i Serbisë, ai që ka kontribuar më së shumti që Kosova të jetë shtet i pavarur”, ka thënë Bogdanoviq.

Bogdanoviq është shprehur se nuk preferon të luajë me nacionalizmin e rremë për Kosovën. Ai ka thënë se një lojë me Kosovën i bën dëmin më të madh serbëve të Kosovës.

“Shoh kah e ardhmja sepse s’kam kohë për të kaluarën”, ka përfunduar shkrimin ai.

Reklama