Policia mohon infiltrimin e FSK-së në operacionin në Veri, është propagandë e mediave serbe!

HomeLajmeKosovë

Policia mohon infiltrimin e FSK-së në operacionin në Veri, është propagandë e mediave serbe!

Derisa situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e njëjtë me dje dhe serbë të shumtë vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet, Policia e Kosovës po kujdeset për rendin dhe sigurinë në këtë anë.

Por mediat serbe kanë publikuar sot lajme propaganduese në të cilat tentonin të kyçnin Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Të njëjtit publikuan fotografi kinse në aksionin e veriut e përfshirë është edhe FSK-ja, gjë që del të jetë plotësisht e pavërtetë.

E lidhur me këtë ka reaguar edhe Policia e Kosovës ku ndër të tjerash është theksuar se në këtë operacion janë të përfshira vetëm zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe se pretendimet e tilla janë spekulime të disa mediumeve serbe se në këtë operacion janë të involvuara edhe agjencione tjera të sigurisë.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore dhe kushtetuese është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe ndër të tjera menaxhimin dhe kontrollin e qarkullimit kufitar në nivel vendi.Me qëllim të realizimit të detyrave dhe autorizimeve policore, në operacione të caktuara bëhen planifikimet e nevojshme operacionale, përfshirë planifikimet e burimeve njerëzore dhe ato logjistike, varësisht prej natyrës dhe nevojës operacionale”, u tha ndër të tjerash në reagimin e policisë.

Gjithashtu u theksua se me qëllim të informimi të drejtë të publikut demanton edhe një herë shkrimet e portaleve serbe.

“Vlen të potencohet se në operacionin policor i cili është duke u realizuar në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, janë të inkuadruar vetëm zyrtarë të Policisë së Kosovës, përderisa pretendimet dhe spekulimet e disa mediumeve serbe se në këtë operacion janë të involvuara edhe agjensione tjera të sigurisë janë të pavërteta.Andaj, Policia e Kosovës me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, përmes këtij informacioni zyrtar reagon dhe njëherit demanton shkrimet e disa mediave/portaleve serbe”./Lajmi.net

COMMENTS