fbpx

Petkoviqi ofendon rëndë Bislimin

HomeLajmeKosovë

Petkoviqi ofendon rëndë Bislimin

Deklarata e fundit e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka nxitur reagime të ashpra në Beograd.

Bislimi, në një intervistë të mbrëmshme për RTK2, mes tjerash ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takime private në Bruksel thotë se “e kupton që duhet ta njohë Kosovën, por duhet të përgatitet terreni në Serbi, duhet kohë dhe pastaj në publik thotë se nuk do ta njohë kurrë”.

Ndërkaq, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë kjo deklaratë e Bislimit “paraqet gënjeshtrën më flagrante” që ai mund ta thotë.

Bislimi, siç thotë Petkoviqi, “vazhdon të shkëlqejë në gënjeshtrat e tij”, dhe deklarata e tij “nuk është vetëm gënjeshtra më e paturpshme që ka thënë, por edhe kulmi i hipokrizisë së tij, të cilën e përdor gjatë gjithë kohës në procesin e dialogut”.

“Duket se Bislimi në të gjitha deklaratat e tij, duke përfshirë edhe këtë të fundit, po niset nga vetvetja, e cila prej kohësh është përcaktuar në psikologji si vetëprojeksion, në fakt Bislimi është ai që premton gjithçka dhe çdo gjë në Bruksel, por kjo është çështje që duhet të jetë më me interes për publikun në Prishtinë”, thotë Petkoviqi.

Sipas tij, “absurditeti i deklaratave të Bislimit” është parë më së miri kur, sipas Petkoviqit, “ai u mburr në Twitter se zëvendëssekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës e ka mirëpritur hyrjen e Prishtinës në këtë institucion”, gjë që, shton më tej Petkoviqi, “z. Bjorn Berg e ka mohuar personalisht”. Kjo, sipas tij, “flet shumë për besueshmërinë e asaj që thotë Bislimi”.

“Nuk ka dyshim se Bislimi shpesh shpreh atë që do të dëshironte të dëgjonte, por e vetmja e vërtetë që presidenti Vuçiq e përsërit qartë dhe pa mëdyshje është se ai kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë dhe gjithmonë mbron fuqishëm qëndrimin e Beogradit dhe popullit serb, prandaj delegacioni i Prishtinës gjithmonë kthehet nga negociatat ‘me hundë të çuara’”, deklaroi Petkoviqi.

Ai tha se “është më mirë që kryenegociatori i palës prishtinase të punojë për formimin e Asociacionit të komunave serbe, për të cilën u angazhua në Bruksel para delegacionit serb, por edhe para zotit Lajçak, sesa për të bërë gafa të tilla pa turp para komunitetit vendas dhe ndërkombëtar”.