fbpx

Petkovic akoma ëndërron: “Nuk e kemi dorëzuar Brezovicën, beteja për të vazhdon”

HomeLajmeKosovë

Petkovic akoma ëndërron: “Nuk e kemi dorëzuar Brezovicën, beteja për të vazhdon”

Me vendimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për formimin e ndërmarrjes shoqërore Brezovica, drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq ka deklaruar se qendra skijimit “nuk i është dorëzuar Kosovës” dhe se Serbia “do të vazhdojë të luftojë për Brezovicën dhe të ndihmojë menaxhmentin dhe punëtorët”.

Duke folur për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, Petkoviq ka thënë se vendimi i AKP-së ishte “një veprim tjetër i njëanshëm i Albin Kurtit”.

Ai po ashtu ka pretenduar se “të gjitha vendimet e AKP-së janë të kundërligjshme, të njëanshme dhe të marra pa pajtimin e “pronarëve të ligjshëm”.

“Ne nuk kemi dorëzuar asgjë në lidhje me qendrën e skijimit Brezovica dhe vazhdojmë të mbështesim të gjithë punëtorët dhe menaxhmentin tonë. Ne do ta ndihmojmë këtë qendër të skijimit ashtu siç e kemi ndihmuar gjatë gjithë këtyre viteve. Njerëzit tanë në Shtërpcë mund të jenë të qetë për këtë”, ka pretenduar Petkoviq.

Ai përmendi se qendra e skijimit Brezovica është “njëra ndër kompanitë që është “pulsi” i mbijetesës së popullit serb në atë pjesë të Kosovës”.

“Ne vazhdojmë të ndihmojmë qendrën e skijimit Brezovica, por do të ndihmojmë pronarët e vërtetë, përkatësisht qendrat e skijimit të Serbisë dhe “Inex Interexport” në Beograd, të kërkojnë të gjithë mbrojtjen e nevojshme ligjore për të mbrojtur qendrën e skijimit në aspektin pronësor”, ka thënë Petkoviq.

Agjencia Kosovare e Privatizimit formoi ndërmarrjen shoqërore Brezovica, zgjodhi Bordin e ri Menaxhues së bashku me komunën e Shtërpcës dhe e aktivizoi atë në qendrën ekzistuese të skijimit, në kuadër të fiskalizimit, sipas ligjeve të miratuara nga autoritetet e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ndërmarrja shoqërore Brezovica ka filluar të funksionojë.

COMMENTS

x