Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar sot inicimin e një mobilizimi të gjerë politik dhe qytetar rreth një platforme të përbashkët shtetërore.
Përmes një komunikimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku nënvizoi se institucionalistët, mbrojtësit e Republikës dhe përkrahësit e rrugëtimit euroatlantik gjejnë strehën e tyre natyrale në shtëpinë e përbashkët të LDK-së.
“Ky moment kërkon unitet mes institucionalistëve, mbrojtësve të Republikës dhe vizionarëve të integrimeve euroatlantike, të cilët rrugëtimin e tyre e shohin përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës. Rrjedhimisht, do të nisim një bashkim madhor që tejkalon individin, dallimet e vogla dhe mbetjet e së kaluarës, pasi përballë sfidave të mëdha ato mbeten të parëndësishme. Krizat e njëpasnjëshme dhe retorika e fajësimit po e dëmtojnë rëndë vendin, andaj na duhet një narracion i ri që sjell zhvillim dhe stabilitet politik duke e ankoruar shtetin përgjithmonë në Perëndim. Ky projekt që unifikon dhe zhvillon Kosovën është misioni ynë i ardhshëm, të cilin do ta realizojmë bashkërisht”, ka deklaruar Abdixhiku. /lajmishqip.net









