Përleshje të mëdha mes tifozëve të Napolit e Frankfurtit

1 minute, 10 seconds Read

Përleshje të mëdha mes tifozëve të Napolit dhe Frankfurtit janë parë gjatë gjithë ditën në qytetin e Napolit. Ato madje kanë qenë shumë serioze kanë shkruar mediat e huaja të mërkurën mbrëma. Napoli e pret Eintracht Frankfurtin në ndeshjen kthyese të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve. Napolitanët fituan duelin e parë në Gjermani me rezultatin 2:0, dhe janë afër kualifikimit në çerekfinale të garës.

Policia ka pasur shumë punë në qendër të qytetit pasi tifozët “ultras” të të dyja skuadrave janë përleshur rëndë. Po ashtu thuhet se edhe tifozët e Atalantas i janë bashkuar atyre të Eintrachtit për t’u përleshur me napolitanët, që janë rivalë të mëdhenj të tifozëve të Atalantas.

Policia e Napolit në mënyrë që t’i ndalë incidentet e rënda, kishte kërkuar që të mos u shiten bileta tifozëve të Frankfurtit. Klubi gjerman kishte lëshuar komunikatë për shtyp duke mos e pranuar këtë vendim pasi i kishin ndarë 2400 bileta. Megjithatë, gjermanët sërish kanë udhëtuar.

Sektori i tifozëve mysafir është i mbyllur në stadiumin “Diego Armando Maradona”. Pavarësisht ndalimit, tifozët “ultras” kanë arritur të sigurojnë bileta si palë e tretë, falë aleancës me Atalantan. Kanë hyrë në stadium si tifozë vendës.

Publikime te ngjashme