Përkundër lejimit të vizitës nga autoritetet kosovar, Patriarku serb Porfirije e ka anuluar vizitën në Kosovë!

1 minute, 21 seconds Read

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe (KOS) Porfirije, edhe pse kishte leje nga autoritetet kosovare të vizitojë Kosovën, burime të Radio Televizionit të Kosovës thonë se është vetë Patriarku serb, ai që ka anuluar vizitën në Kosovë.

Përkundër që Ministria e Punëve e Jashtme kishte listuar arsyet pse Patriarku Porfirije nuk duhet të lejohet të hyjë në Kosovë, atij kalimin këndej kufirit ia ka mundësuar kryeministri Albin Kurti.

Të enjten, Zyra e Kryeministrit njoftoi se kërkesën për lejimin e vizitës së Patriarkut serb në kuadër të përgatitjeve për festën e Krishtlindjes Ortodokse, e bëri ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç.

“Patriarku Porfirije ka paralajmëruar që sot pasdite do të vijë te vendkalimi kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se dëshiron të hyjë pa truprojat e tij, edhe pse nuk ka bёrё kёrkesё pёr vizitё sipas dispozitave tё marrëveshjes ekzistuese”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Ndryshe, KOS-i gjatë ditës njoftoi se Porfirije do të shkojë në Patriarkanën e Pejës dhe do të vizitojë klerikët dhe besimtarët e Dioqezës së Rashkës – Prizrenit në përputhje me programin e tij.

Kujtojmë se Patriarku serb Porfirije në muajin tetor është fronëzuar në Patriarkanën e Pejës, ku në fjalimin e tij iu bëri thirrje “vëllezërve shqiptarë” dhe popullit serb që të luten për paqe.

Mirëpo, KOS-i është fokusuar prej kohësh në promovimin dhe zbatimin e ideologjisë nacionaliste të “Serbisë së Madhe” në aktivitetet e saj publike.

Publikime te ngjashme