Zëvendësambasadorja e Francës në OKB, Natali Brodurst, ka thënë sot para Këshillit të Sigurimit se është bërë progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me çka Franca është e kënaqur, por gjithashtu theksoi se toni i dëgjuar sot nga ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, si dhe Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës, është shqetësues.
Ajo theksoi se Serbia dhe Kosova duhet t’i zbatojnë të gjitha obligimet nga marrëveshja e mëparshme dhe se formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe është një nga gjërat vendimtare.
Natali Brodurst theksoi se në javët në vijim duhet të shmanget një krizë e re për të mos ndërprerë trendin pozitiv në negociata dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga masat e njëanshme që mund ta thellojnë krizën.
Ajo në mënyrë të veçantë iu referua zgjedhjeve të fundit në Kosovë, duke thënë se Franca është e kënaqur që nuk ka pasur incidente, por edhe se i vjen keq për numrin e vogël të votuesve që kanë dalë, si dhe për faktin që parti të caktuara politike nuk kanë marrë pjesë.
Natali Brodurst ka theksuar se rezultatet e këtyre zgjedhjeve nuk mund të jenë zgjidhje afatgjatë dhe se duhet të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.