fbpx

Përdoruesit e verifikuar të Twitter së shpejti mund të duhet të paguajnë një tarifë mujore

HomeBota

Përdoruesit e verifikuar të Twitter së shpejti mund të duhet të paguajnë një tarifë mujore

Pas marrëveshjes prej 44 miliardë dollarësh të Elon Musk për të blerë Twitter, disa media raportuan se ai mund të nisë së shpejti një metodë të re për të gjeneruar të ardhura në platformën sociale duke i detyruar përdoruesit të paguajnë për “distinktivët e tyre të verifikimit”.

Burime të njohura me këtë çështje i thanë Platformer, një buletin i krijuar nga Casey Newton, një ish-redaktor i The Verge, se drejtuesit e Twitter kaluan fundjavën duke diskutuar një ndryshim të mundshëm në platformën sociale ku përdoruesit do të duhet të paguajnë për t’u abonuar në Twitter Blue ose do të humbin “distinktivët”.

Twitter Blue, një abonim mujor prej 4,99 dollarësh, u lansua vitin e kaluar si oferta premium e platformës, duke u dhënë përdoruesve qasje në veçori të reja.

Kështu, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, një abonim i nivelit të verifikimit mund të kushtojë deri në 19,99 dollarë në muaj.

Aktualisht i disponueshëm vetëm në SHBA, Kanada, Australi dhe Zelandën e Re, lansimi i Twitter Blue ka pasur probleme me tërheqjen e veçantë dhe veçoritë e kufizuara – por lidhja e verifikimit me tarifën e abonimit mund të rrisë popullaritetin e tij.

Nëse Twitter kërkon pagesë për “statusin e verifikuar”, do të ishte aplikacioni i parë i madh amerikan i mediave sociale që e bën këtë, pasi shumica e platformave e ofrojnë këtë veçori falas./Telegrafi