fbpx

Për heronjtë realë, për mjekët… Faleminderit për punën dhe misionin tuaj!

HomeShendetësi

Për heronjtë realë, për mjekët… Faleminderit për punën dhe misionin tuaj!

Ajo po mban syze të mëdha, por të sheh në sy kur i rrëfen dhimbjet. Ai ka veshur dorezat, por të shtrëngon dorën ndërsa të lutet të luftosh. Ata kanë vënë maska në fytyrë, por tregojnë dhembshuri. Janë mjekët, infermierët, shoferët e ambulancave, teknikët e pajisjeve që shpëtojnë jetë, është ai që t’u  përgjigj në telefon dhe shumë të tjerë, heronjtë që ne nuk i shihnim teksa bënim “selfie”-n e radhës, heronjve që për shkak të pagave të ulëta, i korruptuam.

Ata kanë qenë gjithnjë aty, ndërsa ne gjithnjë këtu, por të mahnitur nga filmat ku heronjtë janë me minifunde, me pëlhura të qëndisura bukur, me fuqi të mbinatyrshme, të zhveshur nga emocionet, por gjithnjë gjykues. Heronjtë realë nuk janë kështu. Nuk i ngjajnë Superman-it, dhe as duken si Woderwoman.

Mjekët tanë janë ata që nuk gjykojnë; dhe as që duan t’ia dinë nëse jeni grabitës, njeri i korruptuar, i vetmuar apo planprishës. Nuk ka rëndësi nëse je një i alkoolizuar, me AIDS, je prostitutë, ke abortuar një fëmijë, apo ke kancer, një infermiere do të jetë gjithmonë aty që të kujdeset për ty. Ata kthehen në shtëpi jo vetëm me rrudhat dhe shenjat që i shkaktojnë materialet, por të dërrmuar nga humbja e radhës.

Të tillë janë dhe kanë qenë edhe mjekët tanë, ata që sot janë në frontin e parë të një lufte të re. Ndërsa ne, që e nisim jetën në duart e një mjeku, dhe ditët e fundit kërkojmë sërish jetë prej tyre, kemi qenë gjithnjë kështu, por të verbër dhe mosmirënjohës shpeshherë.

Nuk është vetëm stafi i infektivit, 1, 2 apo 3, siç kemi nisur t’i quajmë vendstrehimet e të lënguarve. Ishin edhe të rinjtë e të moshuarit. Brenda javës së parë, studentë e profesionistë të dalë në pension kërkuan të vishnin bluzën e bardhë në emër të jetës.

Këtë muaj nuk pamë vetëm të tillë heronj, por edhe të tjerë që i fshehën familjes të vërtetën, atë të ikjes në Itali, për të ndihmuar sadopak në vendin ku dhembja dhe vdekjet po ulërijnë më së shumti. A kanë ata frikë? A janë ata të lodhur, a kërkojnë ndihmë nga ne? A do të duhej të vinte një armik i padukshëm në mënyrë që ne botërisht t’i duartrokisnim?

Ata kanë qenë gjithnjë aty në frontin e parë të betejave të përditshme, me dhimbjen se sot nuk mundi të shpëtonte një jetë, por me forcën dhe shpresën se nesër gjërat do të jenë më mirë. Ata janë edhe sot aty ku asnjë person i zemrës s’mund të të qëndrojë pranë, aty ku ne sot i besojmë jetën e të shtrenjtëve tanë, në duart e heronjve, në duart e mjekëve që nuk kanë reshtur së përqafuari si fëmijën e vogël, po ashtu edhe të moshuarin, si vdekjen, po ashtu edhe jetën.

Ndaj, ndjesë për harresën, që ju kemi thirrur vetëm kur ua kemi pasur nevojën, ndërsa sot, me shumë bindje dhe përulësi, ju themi se ju jeni heronj.

COMMENTS