Connect with us

Kosovë

PDK kritikon Qeverinë: Përballë katastrofës natyrore, Drenica është braktisur nga shteti

Publikuar

me

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje Qeverisë që të mblidhet me urgjencë dhe të marrë vendim për të ndarë fonde financiare emergjente për komunat e prekura nga vërshimet që ndodhën të enjten.

Ai ka thënë se gjendja në Skenderaj, Mitrovicë e Istog, si dhe Podujevë e Klinë, po vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rëndë.

“Banorët e atyre zonave po përballën me vështirësi të mëdha, përfshirë mungesën e strehimit. Shtëpitë e dëmtuara e të pabanueshme, dëmet ekonomike dhe shkëputja totale nga normaliteti, e kanë bërë situatën emergjente dhe për këtë kërkohet reagim i shpejtë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai tutje është shprehur se përkundër se komunat janë në krye të detyrës, kjo barrë është më e madhe sesa që ato mund ta përballojnë.

“Andaj, ftoj Qeverinë e Kosovës që të mblidhet me urgjencë, sa më parë, dhe të marrë vendim për të ndarë fonde financiare emergjente për komunat e prekura, si dhe t’iu përgjigjet përmbushjes së nevojave të tyre, për sanimin e gjendjes dhe strehimin sa më të shpejtë të njerëzve në shtëpitë e veta”.

“Shembulli i qytetarëve në solidaritet me njëri-tjetrin është frymëzues, por koha kërkon veprim me përgjegjësi institucionale e shtetërore. Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e saj, sot dhe menjëherë”, ka përfunduar i pari i PDK-së.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se përballë katastrofës natyrore, Drenica është braktisur nga shteti.

“Vërshimet që ndodhën në qytetin e Skenderajt dhe shumë fshatra përreth shkaktuan dëme shkatërruese. Pamjet të japin një ndjenjë të trishtë. Qytetarët gjenden përballë ekzistencës së tyre të shkatërruar brenda pak orëve”, ka shkruar Musliu në Facebook.

“E në gjithë këtë situatë të jashtëzakonshme në mes të mbetjeve dhe shkatërrimeve ajo që vërehet më së shumti dhe ajo që prek më së shumti zemrat e drenicasëve është mungesa e shtetit, mungesa e ekipeve emergjente, sidomos nëpër fshatra”.

Sipas saj, me të drejtë këta qytetarë bëjnë pyetjen: “A nuk po dinë apo më të vërtetë janë të poshtër ata që mbajnë përgjegjësi për situata të tilla”.

“Me të drejtë pyes edhe unë: Ku është qeveria, FSK-ja, Kryqi i Kuq etj. Komuna e Skenderajt është duke u angazhuar me të gjitha kapacitetet që ka, por për t’ia dalë i duhet ndihma nga institucionet shtetërore, ndihmë kjo e cila po mungon”.

“Për fund dua të falënderoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që po bashkëndjejnë me ne dhe po na ndihmojnë me gjërat më të nevojshme”, ka përfunduar deputetja e PDK-së. /Telegrafi

Reklama