Pavarësisht kritikave, qeveria Kurti në program sheh koordinim me Amerikën për dialogun me Serbinë

HomeLajmeKosovë

Pavarësisht kritikave, qeveria Kurti në program sheh koordinim me Amerikën për dialogun me Serbinë

Në adresë të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti pati kritika për mos përmendjen e SHBA-së në planprogramin qeverisës. Ish-koordinatori i Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi, Skender Hyseni, tha se Kurti nuk e përmend askund SHBA-në në programin e Qeverisë.

Duke cituar gabimisht ish-programin qeveritar (2020-2023) të koalicionit VV-LDK, Hyseni tha se aty rënditen një varg “dëshirash” dhe se Qeveria ka hequr dorë partneriteti strategjik me Amerikën.

“S’dyti. dhe më shqetësuesja në program qeverisës është heqja dorë e Qeverisë së Kosovës nga partneriteti i veçantë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për më tepër SHBA-të nuk përmenden askund ne këtë program, ndërkohë që renditen një varg ‘dëshirash’ për antarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe avancimin e bashkëpunimit të saj me NATO-n. Pyetja logjike është me cilin partner strategjik do të bashërendohen dhe koordinohen këto përpjekje?!!!”, shkroi ndër të tjera Hyseni në Facebook.

Por në draft-programin e siguruar nga Gazeta Online “Reporteri.net”, në programin e Qeverisë së Kosovës thuhet se kjo e fundit e sheh si të rëndësishme koordinimin e ngushtë me Amerikën.

Në pjesën e programit (pika 2.18.5) të hartuar ku flitet për dialogun me Serbinë, Qeveria Kurti II thotë se krahas BE-së, synojnë bashkëpunim me ShBA-në.

“Përveç rolit ndërmjetësues të Bashkimit Evropian, qeveria e Kosovës e sheh si shumë të rëndësishme edhe koordinimin e ngushtë me partnerët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në draft-programin e Qeverisë Kurti II.

Aty tutje thuhet se Qeveria e Kosovës do të marrë pjesë në dialog bazuar në përgatitje të mirëfilltë e me parime të qarta me synim për të arritur një normalizim afatgjatë në marrëdhëniet me Serbinë.

Kujtojmë që javën që shkoi Qeveria Kurti miratoi programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme që pritet të votohet së shpejti në Kuvend.

COMMENTS