fbpx

Pason reagimi më ri nga ShBA-të lidhur me targa

HomeLajmeKosovë

Pason reagimi më ri nga ShBA-të lidhur me targa

Shtetet e Bashkuara thanë se shpresojnë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje “në ditët në vijim” për çështjen e targave.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit theksojnë se pajtohen me Bashkimin Evropian që zhvillimet e fundit janë shqetësuese dhe se vënë në rrezik përparimin e arritur në dialog.

Këto reagime të SHBA-së vijnë një ditë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian mbi çështjen e targave ilegale serbe të cilat përdoren në veri të Kosovës.

“Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqe dhe stabilitet. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë e dhunës, vënë në rrezik të panevojshëm jetën e personave të pafajshëm dhe të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Autoritetet në Kosovë kanë njoftuar se nga 22 nëntori do të nisin shqiptimin e gjobave prej 150 euro për shoferët në veri që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë kërkuar Qeverisë që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale.

Serbët në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjoba, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e Qeverisë për targa.

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 20 nëntor se nuk është optimist për në Bruksel.

“Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë”, tha Vuçiq më 20 nëntor në një intervistë për televizionin Prva.

Ai përsëriti kushtet e Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe anulimin e vendimin për targa.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Më 2015, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kundër formimit të asociacionit njëetnik.

Lidhur me targa, ai ka pranuar më 18 nëntor se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është në komunikim të vazhdueshëm me Brukselin për ta zgjidhur çështjen e targave.

Sipas tij, në ditët në vijim do të shihet nëse do të kenë sukses negociatat e reja.

“Janë 9 mijë vetura me targa ilegale serbe. Kjo është më pak se 10 për qind e veturave që i kanë serbët në Kosovë, kështu që është një pakicë ekstreme e serbëve që janë duke refuzuar këto targa. Kemi pasur një dallim në qasje dhe sekuencim të zbatimit, duke nisur vetëm me qortim”, ka thënë Kurti.

Në shenjë kundërshtimi lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, nga 5 nëntor serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Edhe kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se 21 nëntori “nuk duhet të na gjejë pa marrëveshje për targat” dhe situatën aktuale të krijuar për targat e ka konsideruar si “krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit”.

Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Pritjet janë që ato të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Por, pavarësisht disa marrëveshjeve të arritura, qëndrimet e dy palëve mbeten larg.

Serbët në veri ishin bërë pjesë e institucioneve të Kosovës pas marrëveshjes së parë që kanë arritur dy vendet për normalizimin e marrëdhënieve, në vitin 2013.