fbpx

Pasi anekson pjesë të saj, Putin i bën thirrje Ukrainës për armëpushim

HomeLajmeBota

Pasi anekson pjesë të saj, Putin i bën thirrje Ukrainës për armëpushim

Presidenti rus Vladimir Putin i bëri thirrje Ukrainës për një armëpushim të menjëhershëm dhe luftën “të cilën ata e filluan më 2014”. Deklarata e Putinit u bë gjatë kohës kur shpalli paligjshëm të aneksuara katër rajone ukrainase, shkruan Reuters.

Ai ka thënë se për armëpushimin në tavolinë nuk do të diskutohej çështja e katër rajoneve të aneksuara paligjshëm.

“Kievi duhet të kthehet në tryezën e bisedimeve. Ne jemi të hapur ndaj këtij skenari dhe e kemi theksuar shumë herë”, ka thënë Putin.

Por, sipas Putinit, Kievi duhet të pranojë vullnetin e popullit, duke iu referuar referendumeve të rreme që u zhvilluan në rajonet e pushtuara që janë aneksuar sot.

“Ne do të mbrojmë vendin tonë me të gjitha forcat tona dhe do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur sigurinë e njerëzve”, shtoi Putin.

Ai foli gjithashtu për armët bërthamore, duke thënë se SHBA-ja krijoi një precedent kur hodhën bomba atomike në Hiroshima dhe Nagasaki gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai i dërgoi një mesazh Perëndimit në lidhje me krizën energjetike.

“Nuk mund t’i ushqesh njerëzit me dollarë dhe euro. Nuk mund të ngrohësh shtëpitë e njerëzve me gënjeshtrat që përhap në rrjetet sociale. Ju nuk mund t’i ngrohni njerëzit me vlerësime të fryra – ju nevojiten burime energjie”, shtoi ai.

Putin theksoi se Rusia dëshiron të jetë udhëheqëse e ‘lëvizjes anti-koloniale’ për të çliruar botën.

“Duhet ta mbyllim këtë faqe të turpshme. Hegjemonia perëndimore duhet të thyhet. Kjo është e pashmangshme. Ne duhet ta bëjmë këtë për popullin tonë, Rusinë e madhe historike”, deklaroi Putin.