fbpx

Pas vendimit për pagat, edhe KPK redukton punën e prokurorive dhe pezullon bashkëpunimin me Qeverinë

HomeLajmeKosovë

Pas vendimit për pagat, edhe KPK redukton punën e prokurorive dhe pezullon bashkëpunimin me Qeverinë

Prishtinë – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka marrë vendim, me të cilin reduktohet puna në Prokurori, ku do të punohet vetëm me shërbime esenciale.

Përmes një komunikate për medie, KPK njofton se i udhëhequr nga kryesuesi Jetish Maloku, Këshilli ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm ku është diskutuar vetëm një pikë e rendit të ditës lidhur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përgjysmimin e pagave të prokurorëve.

Në këtë takim, thuhet se kanë marrë pjesë edhe kryeprokurorët e prokurorive, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Në fillim të këtij takimi, anëtaret e KPK-së dhe kryeprokurorët e prokurorive të Republikës së Kosovës një zëri kanë vlerësuar se vendimi i sotëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës është vendim kundërkushtetues dhe kundërligjor, si dhe ndërhyrje flagrante në pavarësinë e sistemit prokurorial”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, thuhet se Këshilli Prokurorial i Kosovës ka nxjerrë vendim ku kërkon nga Qeveria e së Republikës së Kosovës që menjëherë të anulojë vendimin Nr. 03/109 të datës 23 nëntor 2022.

“Në ndërkohë, puna e prokurorive do të reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale, po ashtu Këshilli dhe prokuroritë do të pezullojnë të gjitha format e bashkëpunimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nëse ky vendim nuk shfuqizohet deri me datë 08 dhjetor 2022, Këshilli do të do të vendosë për masa tjera më radikale”, thuhet në fund të komunikatës.

Ndryshe, sot në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Albin Kurti mori vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga Qeveria Haradinaj.

“Kushti i paraparë për përjashtim të këtij ligji është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese me ligjin e atëhershëm për paga, rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri plotësojmë këtë vendim duke shfuqizuar nenet relevante”, ka thënë Kurti.

Pas miratimit të Projektligjit për Pagat, Kryeministri Kurti, tha se ky projektligj krijon sistem të unifikuar të pagave.

“Propozimi i sotëm i kushton rëndësi të madhe kualifikimeve. Askush nuk mund të paguhet më shumë sesa pesëfishi u pagës më të ulët në administratën tonë”,  ka thënë Kurti.

Shoqëria civile ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht ta anulojnë vendimin e sotëm për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve./BetimipërDrejtësi