fbpx

Partia opozitare në Serbi: Vuçiq po bën shfaqje me targat, për të hequr dorë nga Kosova

HomeLajmeRajoni

Partia opozitare në Serbi: Vuçiq po bën shfaqje me targat, për të hequr dorë nga Kosova

Nënkryetari i Partisë Popullore në Serbi, Miroslav Aleksiq, ka thënë sot se nuk ekziston asnjë rrezik lidhur me riregjistrimin e automjeteve në Kosovë, por po zhvillohet një shfaqje e madhe, në të cilin, sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po tenton t’ua dorëzojë pushtetin autoriteteve në Prishtinë, për çfarë është pajtuar që të paraqitet si rrëmbim me dhunë.

Siç njofton Partia Popullore (parti opozitare në Serbi), Aleksiq ka thënë për televizionin “NovaS” se “Vuçiq po dërgon aeroplanë ndaj dronëve, kurse nuk ekzistojnë kurrfarë problemesh”.

“Kam qenë në veri dhe jug të Kosovës, kur ishte çështja e targave herën e fundit. Unë shkoj atje një herë në muaj, dhe nuk është ajo që prezantojnë mediat në Serbi. Njerëzit tanë në Kosovë, përveç problemeve me shqiptarët, problemin më të madh e kanë me Listën Serbe, e cila i shantazhon e i maltreton dhe nuk mund të gjejnë punë e as dru për ngrohje nëse nuk janë në Listën Serbe”, tha Aleksiq, transmeton Telegrafi.

Ai theksoi se Lista Serbe është një “organizatë kriminale që i mban njerëzit nën okupim”, dhe se nuk i ndihmon serbët, por i ndjek ata nga Kosova.

“Për këtë më kanë bindur njerëzit në Lipjan, Graçanicë dhe Mitrovicë”, tha Aleksiq.

Ai shtoi se qeveria në Beograd vazhdimisht fajëson kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kurse Vuçiq e hesht faktin se Lista Serbe, të cilën ai e kontrollon, “i jep shumicën qeverisë së Kurtit dhe ulet në të njëjtën qeveri”.

“Vuçiq e ‘shpronësoi’ Serbinë në Kosovë dhe ky është fakt”, tha Aleksiq.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha të mërkurën se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë urdhrin për rritjen e gatishmërisë luftarake, pasi disa dronë “kanë hyrë nga Kosova në territorin e Serbisë qendrore”.

Vuçeviq njoftoi të martën se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të, siç tha, situatës në Kosovë, por atë ditë nuk dha detaje se përse është marrë ky vendim dhe përse lidhej me Kosovën.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, i mohoi raportet e disa mediave serbe, më 1 nëntor, se “dronët që janë vërejtur mbi Serbi”, kanë hyrë nga territori i Kosovës.

“Çfarëdo diskursi i tillë është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendjeje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve”, tha Mehaj të martën. /Telegrafi