fbpx

Paralajmron kryeministri Kurti: “Nëse Serbia lëshon dokumente shtesë në kufi, edhe ne do ta bëjmë të njëjtën gjë”

HomeLajmeKosovë

Paralajmron kryeministri Kurti: “Nëse Serbia lëshon dokumente shtesë në kufi, edhe ne do ta bëjmë të njëjtën gjë”

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nëse Serbia vazhdon të lëshojë dokumente përcjellëse me letërnjoftim në kufi, edhe Kosova do të veprojë njësoj, bazuar në parimin e reciprocitetit.

Kurti është shprehur i vendosur për zbatimin e reciprocitetit dhe ka theksuar se çdo vendim i qeverisë do të paraprihet prej të dhënave që do të marrin nga Policia e Kosovës në teren.

Pas takimit me kreun e LDK-së dhe atë të AAK-së, Kurti ka thënë se Kosova nuk do të zbatojë vendimin për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje atëherë kur nga Policia e Kosovës do të informohet se në kufi me Serbinë qytetarëve nuk u jepen dokumente shtesë kur prezantojnë letërnjoftimin.

Kurti: S’do të zbatojmë dokumentet në hyrje-dalje nëse edhe Serbia vepron njësoj

“Në momentin që Policia e Republikës së Kosovës të më njoftoj mua si kryeministër, dhe ministrin e Brendshëm (Xhelal) Sveçla se teksa qytetarët tanë kalojnë në anën tjetër të kufirit dhe askush nuk ua kërkon një dokument tjetër, apo ua jep një dokument shtesë, ne natyrisht se nuk kemi nevojë ta zbatojmë dokumentin e hyrje-daljes”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që të bëjnë konvertimin e targave për çka ka thënë se kjo do të vazhdojë deri më 31 tetor.

Kurti: Konvertimi i targave vazhdon deri më 31 tetor

“Sa i përket 1 shtatorit, vazhdon fushata për konvertimin e targave nga ato që i ka lënë regjimi i Millosheviqit, e Serbia e secilit pushteti i ka vazhduar, tek ato që janë legale dhe legjitime të Republikës së Kosovës. Kjo të vazhdojë deri më datën 31 tetor”, ka thënë ai.

Kurti ka theksuar se mëngjesin e 1 gushtit Kosova i ka lëshuar 2679 dokumente për hyrje-dalje dhe sipas tij ndryshimi i kësaj shifre varet nga Serbia nëse e njëjta do të zbatojë marrëveshjen për letërnjoftime.

Kurti: Nëse Serbia lëshon dokumente shtesë në kufi, do ta bëjmë edhe ne.

“Nuk ka dokumente përcjellëse, vetëm tregohet karta e identitetit dhe do të duhej që qytetari i Kosovës kur kalon nëpër Serbi ose kur shkon në Serbi, ta bëjë këtë lirisht, pa marrë asnjë dokument tjetër, dhe njësoj kur vjen ai i Serbisë nuk do të ketë nevojë që as polici jonë t’i jep dokument shtesë. Ne nuk konfiskojmë dokumente, por për shkak se u vendos reciprociteti, nuk ka nevojë as të japim dokumente. Nëse teorikisht e rastësisht Serbia vazhdon të lëshojë dokumente të tilla, atëherë do të detyrohemi edhe ne në bazë të parimit të reciprocitetit, si parim i marrëdhënieve të shëndosha fqinjësore, ta vendosim edhe ne dokumentin e hyrje-daljes, të cilin siç e dini, e kemi ndarë për 19 orë gjatë të hënës së 1 gushtit. 2679 sosh pa asnjë incident dhe pa asnjë ankesë. Nuk besoj që do të ketë nevojë ta ndajmë dokumentin 2680, besoj që do të ngelen 2679, por a do të bëhen 2680 varet nëse Serbia e shkel dokumentin”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti gjatë takimit të sotëm me Lumir Abdixhikun, kryetar i LDK-së dhe Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, i ka njoftuar këta të fundit rreth procesit të dialogut me Serbinë.

Ai ka thënë se i ka informuar dy liderët e opozitës për çështjet kryesore, ndërsa ka shtuar se ky është bashkëpunim i shtuar, i cili sipas tij jep shpresë për më shumë komunikim të ndërsjellë ndërmjet qeverisë dhe opozitës.

Në takim nuk ka marrë pjesë kreu i PDK-së Memli Krasniqi i cili dje paralajmëroi se nuk do t’i shkojë Kurtit në takim.

x