Para takimit në Ohër, ekstremist serb organizojnë protesta kundër planit europian në Serbi!

1 minute, 54 seconds Read

Një ditë para “finales së madhe” që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut ku do të ketë takim në mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku pritet të arrihet pajtim për planin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë për Normalizimin e marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, në rrugët e kryeqytetit serb po protestohet kundër pranimit të planit evropian.

Ndërkaq, brohoritjet në këtë protestë kanë të bëjnë kryesisht me Kosovën, “Nuk do të heqim dorë nga Kosova”, është njëra nga to.

Media opozitare serbe Danas njofton se në këtë marsh protestues po marrin pjesë mijëra qytetarë serbë.

Partitë opozitare serbe të ekstremit të djathtë, me tetë mars kishin njoftuar për organizimin e një proteste që do të mbahej në mbrëmjen e 17 marsit, duke argumentuar sipas tyre nevojën e kundërshtimit të planit franko-gjerman (evropian), tanimë të pranuar nga Kurti dhe Vuçiç në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

“Protesta organizohet nga Novi DSS, POKS, Zavetnici dhe Dveri, dhe një nga organizatat që e mbështeti këtë tubim është Shoqata e Organizatave Ekologjike të Serbisë”, transmeton Danas.

Ndryshe, kjo nuk është protesta e parë e këtij lloji në Beograd. Organizatat ultra të djathta në Serbi edhe më herët kishin organizuar protesta për të kundërshtuar politikat e Qeverisë së Serbisë ndaj Kosovës.

Qindra qytetarë serbë ishin mbledhur para Presidencës së Serbisë, për të protestuar kundër presidentit serb para disa ditësh, pasi i njëjti e ka pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Protestuesit në Beograd kishin shfaqur pankarta nacionaliste ku shkruhej “Kosova është zemra e Serbisë”, “S’ka dorëzim”, “Kush e jep Kosovën, do ta tradhtojë Rusinë”, ndërsa mesazhi kryesor ishte “Stop tradhtisë së Vuçiç-it për Kosovën”.

Në këtë protestë, siç raportonin mediat serbe, të pranishëm qenë edhe përfaqësues të partive radikale serbe dhe lideri i organizatës ultra-nacionaliste “Patrulla e Popullit”, Damjan Knezheviç, i cili dyshohet se ka qenë aktiv në veri të Kosovës gjatë “krizës së barrikadave”.

Publikime te ngjashme