fbpx

Pajisjet matëse në radiatorë mirëpriten edhe nga qytetarët

HomeLajmeKosovë

Pajisjet matëse në radiatorë mirëpriten edhe nga qytetarët

Mbi tre mijë konsumatorë të kyçur në ngrohtoren e qytetit në Prishtinë kanë instaluar pajisje matëse në radiatorët e tyre. Konsumatorët kryeqytetas nga ky dimër nuk do të kenë më nevojë që të hapin dritaret nga ngrohja e tepërt në banesat ku jetojnë.

23 ekipet e autorizuara që nga korriku kanë filluar të trokasin në dyert e konsumatorëve për instalimin e këtyre pajisjeve, të cilat janë të gjitha falas. Të njëjtit do të paguajnë faturën e ngrohjes varësisht nga konsumi, e jo nga metrat katrorë të hapësirës e cila ngrohet.

Gjatë javës në radiatorët e banesës së 70-vjeçares janë instaluar pajisjet matëse. Aleate Statovci Rrmoku jeton në Bregun e Diellit dhe tregon se ngrohja e tepërt viteve të kaluara u ka shkaktuar bezdi

“Ne që 35 vjet kemi ngrohje. Ne ngrohje kemi pasur mjaft, na nervozoheshim se u dashke me i hap dritaret e derën edhe dimrit. Me mëngë të shkurtra kemi qëndruar ne gjithmonë… Tash besoj se stabilizohet pak”, thotë ajo.

Zëdhënësja e ngrohtores së qytetit “Termokos”, Afërdita Uka tregon për KosovaPress se që nga muaji korrik ka filluar fazë implementuese e projektit “Prishtina Heat Save”.

“Tashmë ekipet e kompanisë punëkryese të cilat janë duke e realizuar këtë projekt pra janë të përhapur në të gjitha lagjet e qytetit ku operojmë ne me furnizimin me ngrohje pra në qendër Dardania, Ulpianë dhe Bregu i Diellit, janë diku 23 ekipe ku për çdo ditë vizitojnë banesat e konsumatorëve tanë sipas një plani tonë paraprakë të cilët e publikojmë nëpër rrjete sociale për t’i informuar konsumatorët tanë paraprakisht se ata në ditën e caktuar që planifikohet të vizitohet një hyrje apo një objekt banesor ata duhet të jenë në shtëpitë e tyre për të pranuar ekipet punë kryerëse që të instalojnë këto pajisje”, thotë ajo.

Uka shton se ky projekt do të mundësojë që konsumatorët të paguajnë aq sa konsumojnë, meqë deri më tani është konsumuar pa kontroll.

“Ky është një projekt shumë më i veçantë se gjithë të tjerët pasi para se gjithash i mundëson kursimin e gjepit të ekonomive familjarëve të konsumatorëve tanë pasi që deri më tani pjesa më e madhe e tyre nuk ka investuar në ato valvulave, termo-rregulluese të cilat e rregullojnë temperaturën për brenda ambienteve të tyre banesore ngase kanë qenë një sistem i stërvjetëruar i ngrohjes përbrenda objekteve banesore. Pra, rrjeti sekondar i ngrohjes ndërsa tani në saj të këtij projekti të 10 milionë dollarëve të ndara nga qeveria amerikane përmes MCC pra është mundësuar që të gjitha këto pajisje ata t’i marrin falas dhe përveç rregullimit të brendshëm nëpër ambiente banesore që kanë një mundësi shumë më të mirë në vend të asaj metodës së mëhershme kur kanë hapur dritaren për të freskuar ambientet e tyre të brendshme, tani detyrimisht në momentin që ata kursejnë këtë energjinë termike duke rregulluar temperaturat nëpërmjet valvulave termo rregulluese, kjo të ndikojë edhe në ulje të shpenzimeve te tyre për ngrohje”, deklaron zëdhënësja e Termokos-it.

Zëdhënësja e Termokos-it njofton se janë bërë të gjitha matjet teknike të nevojshme për vendosjen e këtyre pajisjeve dhe tani është në fazën e implementimit dhe instalimit të pajisjeve.

“Deri më tani afro tre mijë konsumatorë tanë janë kryer në tre mijë banesa të konsumatorëve tanë janë instaluar këto pajisje pra alokatorët e ngrohjes, term kokat dhe valvula termo-rregulluese… Isha personalisht në vendin ku konkretisht në lagjen Bregu i Diellit për të parë se si po shkon ky projekt ishte një situatë shumë e mirë, ngase të gjithë konsumatorët kishin pranuar pa dallim hyrjen e ekipeve dhe instalimin e këtyre pajisjeve, ndërkohë që pjesa tjetër e pajisjeve të realizuar që gjendeshin si ekip mbështetës për ekipet që ishin brenda objektit banesore”, shprehet Uka.

Pjesa më e madhe e projektit të instalimit të këtyre pajisjeve pritet të përfundojë në fillim të muajit nëntor.

Zëdhënësja Afërdita Uka tregon se çfarë do të ndodhë me konsumatorët që nuk kanë instaluar këto pajisje, pas përfundimit të projektit.

“Në bashkëpunim me ZRrE, jemi dakorduar që të gjithë konsumatorët tanë të kenë detyrimisht pajisje. Në të kundërtën nga sezoni i ardhëm nuk do të lejohet që asnjë nga konsumatorët që nuk do të pajisjen me këto pajisje pra nuk do të lejohen të jenë të kyçur në rrjetin e ngrohjes, në të kundërtën nëse ata nuk pranojnë të bashkëpunojnë me ekipet punë kryese ata nuk të pranojnë ato nëpër banesat e tyre për të bërë këto instalime ata do të jenë të detyruar pas përfundimit të këtij projekti që të paguajnë vetë këto pajisje të cilat llogariten që kushtojnë diku rreth 500 euro koston e këtyre pajisjeve do t’i paguajnë vetë pas realizimit të projektit, ndërsa të gjitha këto pajisje ju instalohen falas”, përfundon ajo.

Kujtojmë se në gjithë Prishtinën janë rreth 16 mijë konsumatorë të kyçur në ngrohtoren e qytetit “Termokos”.

Projekti “Prishtina Heat Save”, në vlerë prej më shumë se 9 milionëve financohet nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Komuna e Prishtinës.

x