fbpx

ORCA hesht për ministren Nagavci që iu deshën 10 vjet të mbarojë masterin me notë mesatare 6.46

HomeLajmeKosovë

ORCA hesht për ministren Nagavci që iu deshën 10 vjet të mbarojë masterin me notë mesatare 6.46

Përfaqësues të ndryshëm të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) janë shumë të zëshëm për ngjarjet e pahijshme që kanë të bëjnë me apo rreth arsimit në Kosovë.

Reagimet e tyre janë të shpejta dhe të fuqishme. Por, në këtë organizatë tashmë ka rënë heshtje e madhe, shkruan Demokracia.com.

Ndonëse po bëhet kohë e gjatë prej momentit kur është publikuar lajmi se “Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, bëri 10 vjet që t’i kryejë studimet master me notë mesatare 6.46”, nga kjo organizatë nuk ka dalë asnjë reagim.

Reagimi i fundit në rrjetin social të ORCA-s është një aktivitet i kësaj organizate me studentët e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

“VAZHDON RRUGËTIMI DREJT KONGRESIT TË AKTIVIZMIT STUDENTOR

Me studentët e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren ka vazhduar rrugëtimi drejt kongresit të tretë të aktivizmit studentor përmes një takimi koordinues me aktivistët e këtij universiteti. Në takim u diskutua strategjia fillestare e përgatitjes drejt Kongresit dhe përmirësimin e metodave të adresimit të problemeve studentore. Takimet e kësaj natyre do të vazhdojnë me studentët e të gjitha universiteteve publike në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Kjo organizatë që vazhdimisht thirret në mbrojtjen dhe ngritjen e cilësisë në arsim, nuk e ka thënë asnjë fjalë që arsimi në Kosovë drejtohet nga një person që i janë dashur 10 vite për t’i kryer studimet master dhe me një notë tepër të ulët, 6.46.

As në rrjetin social të drejtorit ekzekutiv të ORCA-s, Rron Gjinovcit, nuk ishte postuar ndonjë reagim deri para pak minutash. Gjinovci është i ashpër me mësimdhënësit që aktualisht janë në grevë. Këtë e tregojnë edhe dy statuset e tij në rrjetin social, ndër të shumta që ai ka shkruar për këtë temë.

Demokracia.com ka kontaktuar nëpërmjet telefonit Gjinovcin. Mirëpo, i njëjti sapo e ka dëgjuar pyetjen, u përgjigj shkurtër se nuk ka kohë të flas.

“Jam me një mbledhje, nuk mundem me fol. Veçse të kisha thirr më vonë”, tha Gjinovci.

Por, vetëm pasi e kuptoi që dikujt i kishte rënë në sy mosreagimi i tyre, jo shumë kohë më pas, ai gjeti kohë që ta shkruante thjesht një status për diplomën e tij.

Drejtori ekzekutiv i ORCA-s kishte propozuar që pas grevës të gjithë mësimdhënësit të futen në test dhe të përjashtohen masivisht.

Gjinovci dhe organizata e tij që proklamohen si mbrojtës të arsimit ende nuk na kanë treguar nëse prijëse e zbatimit të kësaj ideje “gjeniale” duhet të jetë Arbërie Nagavci, që mezi arriti t’i përfundojë studimet master me notën mesatare 6.46.

x