Shumë takime, diskutime e deklarata të ashpra publike u bënë kohëve të fundit për çështjen e targave ilegale serbe, por atyre u erdhi fundi të mërkurën vonë në mbrëmje.

Takimi rreth shtatë orësh i kryenegociatorit i Kosovës, Besnik Bislimi në kryeqendrën evropiane me homologun e tij serb, Petar Pekotviq dhe ndërmjetësin Miroslav Lajçak ka rezultuar pozitiv me marrëveshje mes palëve.

Por, detaje se çfarë ndodhi brenda dhomës së diskutimit dha zëdhënësit i BE-së, Peter Stano.

“Nuk është fundi i procesit. Marrëveshja e arritur është vetëm fillim i punës, me të cilën shpresojmë ta largojmë këtë gjendje të marrjes së vazhdueshme me krize e të kalojmë në një fazë tjetër, të merremi me çështje më të qëndrueshme. Është me rëndësi të respektohen marrëveshjet e arritura në dialog, është mesazh që BE-ja vazhdimisht u ka dërguar të dyja palëve”, ka thënë Stano.

Pos kësaj, është konfirmuar se në Bruksel së shpejti pritet të ftohen përsëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Sa i përket hapave të ardhshëm, pas marrëveshjes që është bërë mbrëmë, është me rëndësi të vazhdohet. Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ka thënë se do të ftojë dy liderët në Bruksel, të punojnë e të vazhdojnë punën për normalizim të marrëdhënieve. Sigurisht puna vazhdon. Emisari Miroslav Lajçak po punon shumë, ditë e natë, për të përparuar drejt një marrëveshje. Përfaqësuesi i Lartë, fton dy liderët së shpejti në Bruksel për të vazhduar në marrëveshjen që është arritur dhe të diskutohet në pikëpamje më të madhe. E ajo është drejt normalizimit të marrëdhënieve, bazuar në propozimin e lehtësuesit BE-së”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, për takimin i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit optimizëm ka edhe në Kosovë, në mënyrë që të vazhdohet për diskutime për dokumentin franko-gjerman.

“Natyrisht se do të ketë nevojë për disa takime në mënyrë që të kompletohet dakordimi për secilën pikë të marrëveshjes e që nënkuptohet se ato fillojnë së implementuari në dhjetor”

Marrëveshja e arritur gjatë së mërkurës në Bruksel për dikë është vetëm dramë, e cila do të mund të arrihej pa tërë këtë zhurmë.

“I gjithë ky spektakël politikë nuk është se kishte ndonjë logjikë të bazuar sepse në fund erdhëm në pikën ku ishim në fillim”, ka potencuar Muhaxhiri.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordim që të mos të prodhohen më targat ilegale e që Kosova të pezullojë të gjitha veprimet sa i përket të njëjtave./RTV Dukagjini