fbpx

Nuk ndalet Haradinaj me akuza ndaj Kurtit: “Ai me demagoget e tij, nuk janë të interesuar për sigurinë e Kosovës”

HomeLajmeKosovë

Nuk ndalet Haradinaj me akuza ndaj Kurtit: “Ai me demagoget e tij, nuk janë të interesuar për sigurinë e Kosovës”

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se krahas kërkesës së SHBA-së dhe QUIN-it për shtyrjen e vendimit për targat, Kurti nuk është me aleatët e sigurisë dhe sipas tij, nuk është i interesuar për sigurinë e Kosovës.

Ai shkroi në Facebook të dielën se menjëherë duhet të pranohet kërkesa e aleatëve që të pezullohet vendimi për targat deri në marrëveshjen finale me Serbinë.

“Populli i Kosovës dhe aleatët tonë të sigurisë i dinë shumë mirë qëllimet e Serbisë, sponzorëve dhe satelitëve të saj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes zyrtarëve të saj, që nga Ambasadori Hovenier e deri te Sekretari i Shtetit z.Blinken, kërkuan nga Kosova pezullimin e vendimit për targat deri në marrëveshjen finale. Kësaj kërkese iu bashkuan edhe vendet e QUINT-it por edhe vendet e tjera të NATO-s, aleate tonat në siguri”, shkroi Haradinaj.

Sipas deputetit të AAK-së, kërkesa e perëndimorëve e garanton sigurinë e vendit, e në veçanti sigurinë në veri.

“Kjo situatë është bardh e zi. Në vend që të vazhdohet me demagogji, menjëherë duhet të pranohet kërkesa e Amerikës, QUINT-it dhe aleatëve të tjerë të NATO-s për shtyrjen e vendimit për targat deri në marrëveshjen finale për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ish-kryeministri Haradinaj.

Pro vendimit për targat është shprehur deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, por që sipas tij, Qeveria nuk e ka përkrahjen e miqve për këtë çështje. Ai tha se politikat e tilla nuk i shërbejnë interesit të vendit.