Sot, 1 shtator, nis zbatimi i marrëveshjes së vitit 2011 për dokumente, pjesës së pa implementuar, që tani u dakordua ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit.
Të shtunën e javës që shkoi, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, njoftoi se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për kalimin e qytetarëve me letërnjoftime të shteteve përkatëse, shkruan Demokracia.com.
Ky akordim ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit nuk u pa në letër, pasi siç tha Beogradi “ishte marrëveshje verbale që derivon nga marrëveshja paraprake e vitit 2011 mbi lirinë e lëvizjes”.
Kosova dhe Serbia këtë dakordim e paraqitën si fitore të tyre, ndonëse kjo nuk u arrit pa përpjekjet e SHBA-së.
Qytetarët e Kosovës kur do të shkojnë tani në Serbi, nuk do ta marrin letrën e famshme për hyrje-dalje që zhvlerësonte dokumentet e Kosovës. Por, në kufi ata do ta shohin një tabelë njoftuese, ku shkruan se Serbia nuk e njeh Kosovën.
“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga Prishtina [Kosova] bëhet vetëm për arsye praktike për të lehtësuar pozitën e qytetarëve dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes, në përputhje me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes të arritur në dialog më 2011. Kjo nuk mund të interpretohet si njohje për pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme nga Kosova, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 e OKB-së”, do të shkruhet në tabelë.