fbpx

Nis Samiti i Berlinit, kancelari Scholz takon Kurtin: “Le të kryhet normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi”

HomeLajmeKosovë

Nis Samiti i Berlinit, kancelari Scholz takon Kurtin: “Le të kryhet normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi”

Ka nisur samiti i Berlinit nën udhëheqjen e kancelarit gjerman Olaf Scholz. Paraprakisht ky i fundit ka mirëpritur kryeministrin Albin Kurti dhe pjesëmarrësit e tjerë.

Me këtë rast kancelari gjerman i cili është edhe drejtues i këtij samiti, Olaf Scholz, ka bërë thirrje që të kryhet normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu kancelari gjerman tha se Evropa mund të jetë e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj.

“Gjatë vitit tim të parë si kancelar i Gjermanisë kam pasur mundësinë të flasë me shumë nga ju për sfidat e rënda që e ballafaqojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këto sfida janë të përbashkëta sepse stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit nuk mund të ndahet nga stabiliteti dhe prosperiteti i Evropës si tërësi. Evropa mund të jetë e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj. Ju gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkisni Evropës së lirë dhe anëtarësimi i juaj në BE është në interesin tonë“, ka theksuar Scholz, në hapje të këtij samiti.

Nё kryeqendrën gjermane mbahet Samiti i Berlinit, ku nikoqir pёr herё tё parё është kancelari gjerman Olaf Scholz

Ndryshe mbajtja e këtij samiti, shënon edhe ringjalljen e procesit meqë liderët e Ballkanit Perëndimor nuk janë takuar më në kuadër të kësaj platforme që nga largimi i kancelares Angela Merkel, që ishte njëkohësisht edhe ideatore e këtij procesi.

Përgjatë këtij samiti, pritet që të gjashtë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të nënshkruajnë tri marrëveshje, ku përfshihet edhe liria e lëvizjes, njohja e diplomave universitare dhe kualifikimit profesional.

Në mesin e pjesëmarrësve janë edhe liderët e institucioneve evropiane, përfshirë këtu presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel si dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.

Sipas raportimeve, Von Der Leyen me këtë rast do të shpalos pakon e ndihmave finnaciare për rajonin, të cilat do të ndihmojnë në përballimin e sezonit dimëror si dhe grantet për reformimin e sektorit të energjisë në rajon.

Kosovën në këtë Samit, e përfaqëson kryeministri i vendit, Albin Kurti , kurse Serbia përfaqësohet nga kryeministrja serbe, Ana Brnabiq.

Me ftesë të kancelarit gjerman, i pranishëm në Samitin e Berlinit është edhe përfaqëuesi Special i Dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kësisoj nuk është përjashtuar mundësia që së paku në margjinat e samitit, të diskutohet edhe çështja e procesit të normalizimit të marrdhënieve Kosovë-Serbi, ndonëse kjo teme zyrtarisht nuk ishte pjesë e agjendës.

Po ashtu sot pritet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të bëjë të ditur qëndrimin e Kosovës sa i përket propozimit franko-gjerman, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi./Lajmi.net