Nga tre kirurgët e arrestuar në Vushtrri, për njërin kirurg kërkohet paraburgim, tjetri lirohet, ndërsa i treti ende është në kërkim

3 minutes, 1 second Read

Tre kirurgë në Spitalin e Vushtrrisë dyshohet se morën para nga pacientët për të kryer operacionet. Dje, dy prej tyre u arrestuan, ndërsa të tretin iu kërkua që të paraqitet në stacion policor. Sot Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se ndaj njërit prej tyre, Ekrem Sefiut, është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, ndërsa Arsim Latifaj është liruar.

Në një përgjigje për Gazetën Express, nga Prokuroria në Mitrovicë kanë thënë se seanca ndaj Ekrem Sefiut do të mbahet sot.

Ndërkaq, Isuf Zekaj nuk është intervistuar për shkak se ai gjendet jashtë vendit.

“Për njërin person të ndaluar, me iniciale E.S., Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, dhe seanca pritet të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. I ndaluari tjetër me iniciale A.L., është liruar dhe për të njëjtin do të vendoset në procedurë të rregullt, ndërkaq personi i tretë për këtë rast me iniciale I.Z., nuk është intervistuar  ende pasi që ende nuk është arrestuar”, thuhet në përgjigje.

Për këtë rast kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se kanë informacione vetëm nga mediat.

Sejdiu bëri të ditur se tre kirurgët e përmendur janë anëtarë të Odës së Mjekëve dhe për rastet e tilla fillimisht merren organet e drejtësisë, pastaj merren vendime bazuar në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë.

“Mjekët e apostrofuar janë antarë të OMK-së dhe sa i përket rastin në fjalë OMK ka informacione vetëm nga mediat.  Këto janë raste penale me të cilat fillimisht merren organet e ndjekjes penale , kurse Oda pas verdiktit të këtyre të fundit merr veprime bazuar në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë”, tha Sejdiu dje për Express.

Lajmin për arrestimin dhe suspendimin nga puna e konfirmoi drejtoresha e spitalit Dr. Shekfije Shatri.

“Ju njoftojmë se policia e Kosovës po sa e ka arrestuar në Spital, dr. Arsim Latifaj dhe dr. Ekrem Sefiu. Ndërsa dr. Isuf Zekaj është në pushim vjetor për çka është thirrur në telefon dhe i është kërkuar dorëzimi në polici. Në këtë rast, do të veprojmë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe me këtë rast dr. Isuf Zekaj, shkarkohet nga pozita u.d shef i Repartit dhe suspendohet nga puna, po ashtu edhe dr. Ekrem Sefiu dhe dr. Arsim Latifaj suspendohen nga puna deri në një vendim të ri”, ka thënë Shatri dje për Gazetën Shneta.

Për rastin e tre kirurgëve të hënën janë deklaruar edhe nga Ministria e Shëndetësisë, ku thuhet se dje kanë pranuar njoftim zyrtar se tre kirurgë janë duke u hetuar nën dyshimin për korrupsion.

“Në lidhje me rastin e raportuar në medie për rastin e Spitalit të Vushtrrisë, Ministria e Shëndetësisë përmes Bordit të ShSKUK- së, sot pasdite ka pranuar njoftimin zyrtar nga Spitali i Vushtrrisë, “Shekih Zajed” së tre kirurgë tashmë një kohë janë duke u hetuar nën dyshimin për korrupsion. Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK janë në dispozicion të organeve të hetuesisë në mënyrë që procesi i hetimeve të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë, dhe njëkohësisht përmes mekanizmave brenda institucioneve ditëve në vijim do të ndërmarrim të gjitha masat e parapara ligjore”, thuhet në reagimin e MSH-së.

Publikime te ngjashme