Connect with us

Kosovë

“Nga shtëpia u dërgua në shupë” pastaj kunata e pranoi se e vrau 67-vjeçaren, detaje nga aktakuza

Publikuar

me

Gruaja 67-vjeçare S.D., nga fshati Kuk i Dragashit dyshohet se u vra me mjete të forta nga kunata e saj 64-vjeçare N.A., kundër kësaj të fundit dhe djalit të saj (nipit të viktimës), Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë për dhunë në familje disa ditë para ngjarjes tragjike. Policia ka konfirmuar se e dyshuara në prani të avokatit mbrojtës e ka pranuar se ka kryer vrasjen.

Por, çfarë shkruan në aktakuzën e ngritur kundër të dyshuarës për vrasjen e 67-vjeçares dhe djalit të saj?

Gazeta Express mëson se sipas dispozitivit të aktakuzës, N.A., dhe djali i saj me 8 tetor të këtij viti e kishin nxjerrë nga shtëpia viktimën me të meta mendore duke e dërguar në një shupë.

“Më datë 08.11.2022, në fshatin Kuk, komuna e Dragashit, saktësisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, të pandehurit (N.A., dhe J.A.,)në bashkëveprim me njëri tjetrin kryejnë dhunën psiqike me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare- të dëmtuarës/ kunatës dhe hallës S.D., në atë mënyrë që të pandehurit ditën kritike, e nxjerrin nga shtëpia të dëmtuarën e cila është e moshuar dhe me të meta mendore duke e dërguar për të qëndruar në një pjesë të oborrit (shupë), e kështu i shkaktojnë të njëjtës shqetësim emocional”.Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: Dhuna në familje nga neni 248 par.2 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën e ngritur me 21 dhjetor të këtij viti.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj ka konfirmuar praninim e aktakuzës si dhe thekson se gjyqtarja e rastit kishte caktuar shqyrtimin fillestar me datën 5 janar 2023.

“Me datë 21.12.2022, (E Mërkure) Gjykata Themelore – Dega në Dragash ka pranuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren, ndaj të pandehurve N.A., dhe J.A., të akuzuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Dhuna në familje nga neni 248 par.2 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës. Me datë 22.12.2022, (E Enjte) lënda i është ndarë në punë Gjyqtares së rastit. Gjyqtarja e rastit menjëherë me datë 23.12.2022 (E Premte), ka marrë Urdhëresë dhe ka caktuar Shqyrtimin fillestar për datën 05.01.2023, në ora 10:00, pra brenda afatit ligjor siç parashihet me nenin Neni 242 par. 4 të Kodit të Procedurës Penale, ku thuhet se “Gjyqtari i vetëm gjykues, ose kryetari i trupit gjykues cakton menjëherë shqyrtimin fillestar, i cili duhet të mbahet brenda tridhjetë (30) ditëve pas ngritjes së aktakuzës”.

Sipas Prokurorisë Themelore e Prizrenit, N.A., e ka goditur disa herë me mjete të forta viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë ka ardhur deri te vdekja e viktimës. “Në rastin konkret e njëjta, dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhër të prokurorit e njëjta është ndaluar për 48 orë”, ka njoftuar prokuroria.

Fillimisht rasti në polici ishte hapur si “vdekje e dyshimtë”, por kur mjeku kishte vërejtur shenja dhune në trupin e pajetë të 67-vjeçares kishin filluar hetimet dhe më pas rasti i rikualifikua si “vrasje e rëndë”.

Policia tha se e ndjera “nuk ka pasur fëmijë, ka qenë e martuar për 15 vite, por pas vdekjes së bashkëshortit është kthyer në familjen e vëllait për të jetuar”.

“Pas vdekjes se vëllait për të janë kujdesuar kunata (gruaja e vëllait) dhe nipi”, u tha në njoftimin e policisë, ditën e martë.

Ndaj saj nuk kishte urdhër-mbrojtës.

Prokuroria Themelore e Prizrenit do të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj N.A.

Reklama