Connect with us

Ide Shqip

Nga Albin Kurti: “Marrëveshja që s’u mor vesh”

Published

on

Albin Kurti, Prishtinë, 21 Gusht 2008

Sikur pavarësia të mos ishte shpallur (dhe rrjedhimisht as të mos ishte njohur) do të mund të thuhej se UNMIK-u me marrëveshjen e së hënës po ia bart ca kompetenca EULEX-it. Në atë rast, do të mund të thuhej se EULEX-i po ia merr UNMIK-ut një pjesë të pushtetit dhe po ia bën vetes vendin në Kosovë. Mirëpo, meqë pavarësia është shpallur (dhe është njohur më pas), atëherë këto kompetenca që po i merr EULEX-i, në fakt, do të duhej të ishin të Qeverisë. Prandaj, nëse Qeveria e Kosovës konsideron, ashtu siç edhe deklaron, se Kosova është shtet i pavarur, atëherë kjo do të thotë se EULEX-i në të vërtet nuk po ia merr pushtetin UNMIK-ut por Qeverisë së Kosovës. EULEX-i, sikurse edhe UNMIK-u, do të ketë fuqi ekzekutive në Kosovë, gjithsesi, në llogari të atij që do të duhej të jetë ekzekutivi i vetëm në Kosovën e pavarur, pra në llogari të Qeverisë së Kosovës. Në pazarin që i parapriu marrëveshjes, UNMIK-u dhe EULEX-i janë shtyer se cili çfarë do të marrë nga ajo që i takon Qeverisë së Kosovës. Janë shtyer për pushtet ekzekutiv përderisa vetë pushteti “ekzekutiv” vetëm sa e shikonte këtë garë.

Mund të mendohet që ndoshta Qeveria megjithatë nuk ka faj meqë Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që në zemër të saj e ka Planin e Ahtisaarit, e parasheh edhe EULEX-in në Kosovë? Mirëpo, kjo kushtetutë nuk e parasheh UNMIK-un që po mbetet, UNMIK-un që e zëvendësoi ‘transicionin’ (e kompetencave tek institucionet vendore) me ‘rikonfigurim’ (të vetes së tij duke e futur nën sqetull edhe EULEX-in). Kjo kushtetutë nuk i parasheh strukturat paralele të Serbisë të dalura nga zgjedhjet e 11 majit e të cilat shefi më i ri i UNMIK-ut, Lamberto Zannieri, i bëri partner të tij. Kushtetuta nuk e parasheh as shlyerjen e kufijve të Kosovës në veri dhe praktikisht zbritjen e tyre te ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Të gjithë jemi dëshmitarë se baza e Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk është zbatuar dhe nuk po zbatohet. Dy nenet e para të kushtetutës që përkufizojnë shtetin dhe sovranitetin nuk janë zbatuar. Pse atëherë të tolerohet zbatimi i saj i pjesshëm vetëm për të keq? Nëse Qeveria nuk e fiton pushtetin që i takon sipas asaj kushtetute, atëherë pse ajo do të duhej të jetë e detyruar karshi obligimeve më negative që dalin nga ajo kushtetutë (për të cilën deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk u lejuan fare të diskutojnë)?

Ndoshta Qeveria e Kosovës megjithatë sërish nuk ka faj meqë Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e pat mirëpritur letrën e Ban Ki-moon-it. Ishte pikërisht ajo letër që tash i ruan UNMIK-un dhe Rezolutën 1244 si instanca më të larta politike dhe juridike në Kosovë. Ama, megjithëkëtë, si është e mundur që Fatmir Sejdiu mirëpret diçka që është kundër Kosovës, kundër kushtetutës të porsamiratuar të Kosovës, me të cilën ai krenohej aq shumë? Dhe, si është e mundur që Qeveria e Kosovës e mirëpret mirëpritjen e Fatmir Sejdiut ndaj agresionit të bërë mbi Kushtetutën e Kosovës? Si është e mundur që Qeveria e duroi këtë vendim të Fatmir Sejdiut dhe më pas madje iu bashkua atij?

Qytetarë të ndryshëm të Kosovës do të jepnin përgjigje të ndryshme në këto pyetje dhe secili prej tyre do të kishte të drejtë për pothuajse secilin politikan. Dikush do të thoshte se këta politikanë kanë dosje dhe i frikësohen burgut, dikush tjetër se janë injorantë dhe diplomatët ndërkombëtarë lozin me ta, një tjetër do të thoshte që kredhja në luks i ka bërë moskokëçarës etj.etj. Besoj që shumësia e këtyre përgjigjeve të sakta janë përshkrime simptomash të marrëdhënies së sëmurë që kanë politikanët kryesorë të Kosovës me pushtetin – mënyrës se si politikani ynë mbetet në pushtet dhe mënyrës se si ai e kupton pushtetin. Së pari, politikanët që kryesojnë institucionet (por edhe partitë politike) në Kosovë e dinë shumë mirë se në pozitat ku janë nuk kanë ardhur si rezultat i premtimeve të fundit për qytetarët, e aq më pak i përmbushjes së premtimeve të vjetra ndaj tyre, por mbi të gjitha, duke qenë të dëgjueshëm ndaj burokratëve ndërkombëtarë të UNMIK-ut dhe zyrave të Quintit. (Le të mos harrojmë se Kryeministri i Kosovës me mbi 2 milionë banorë i ka vetëm 105 mijë vota, duke iu falënderuar këtu edhe renditjes si i pari në listën e partisë së tij.) Prandaj, këta politikanë nuk frikësohen nga ndëshkimi në zgjedhje, por më parë nga qortimet e zyrtarëve ndërkombëtarë, që në fund edhe i sajojnë koalicionet edhe i caktojnë ministrat. Së dyti, politikanët e Kosovës pushtetin e imagjinojnë si pozicionim në një hierarki statike me imazh gjeometrik dhe prezencë sa më të shpeshtë nëpër televizione, e jo si funksion dinamik në një projekt qeveritar a ideologjik. Prandaj, ata nuk brengosen që UNMIK-u dhe EULEX-i po ua marrin kompetencat që do të duhej të ishin të tyre. Kjo gjë nuk shihet prej tyre si hendikep për rizgjedhje në zgjedhjet e ardhshme dhe as si pengesë për ta mbajtur nominalisht postin nëpër institucione dhe virtualisht shfaqjen nëpër media.

Siç e dimë, marrëveshjen UNMIK-EULEX nuk e dimë. Ajo fare nuk u publikua dhe nënshkrimi i saj u bë prapa dyerve të mbyllura. Thanë se ishte marrëveshje teknike, gjë që do të thotë se dakordimi politik ishte më i hershëm dhe mbase në ndonjë instancë më të lartë (të BE-së që e pranoi letrën e Ban Ki-moon-it, meqë këtë tashmë e kishte bërë Fatmir Sejdiu). Duke e ditur mirë se çfarë Qeverie kemi, UNMIK-u dhe EULEX-i me arrogancë të paskrupullt na e bënë publik faktin se e kanë arritur një marrëveshje që s’do të bëhej publike. UNMIK-u dhe EULEX-i realisht na thanë se ne duhet t’iu besojmë atyre pikërisht atëherë kur hapur fshiheshin prej nesh. Kjo është as më shumë e as më pak se vetë definicioni i fyerjes publike për Kosovën.

Marrëveshja ndërmjet UNMIK-ut dhe EULEX-it pa dyshim që është dënim për Kosovën pikërisht në gjashtëmujorin e shpalljes së pavarësisë. Kryeministri i Kosovës ka mundur të marrë shumë më tepër pushtet në duart e veta gjatë këtyre gjashtë muajve, ka mundur ta bëjë Kosovën me shumë atribute të sovranitetit që i mungojnë, dhe t’i lë me gishta në gojë UNMIK-un dhe EULEX-in. Nuk e ka bërë këtë gjë, andaj tash i kemi edhe UNMIK-un edhe EULEX-in. Qysh me fillimin e negociatave të tyre, UNMIK-u dhe EULEX-i e kanë legjitimuar njëri-tjetrin aktivisht, kurse Qeveria e Kosovës i ka kontribuar kësaj pasivisht duke heshtur. Kur u bë marrëveshja të hënën që shkoi, Hashim Thaçi nisi të thoshte gjepura se si kjo na qenka një gjë e mirë për vendin tonë. Kjo nuk është kurrfarë e mire as për Qeverinë e tij e lëre më për Kosovën. Vetëm dy ditë më vonë menjëherë pasoi goditja e sinergjisë së UNMIK-ut me EULEX-in: UNMIK-u do të ketë zyra në Graçanicë e Shtërpcë!

Pas ‘periudhës historike’ gjashtëmujore të pavarësisë jemi në situatën ku UNMIK-u mbrohet nga Kosova (që nuk e sulmon) në emër të EULEX-it, kurse EULEX-i mbrohet nga Serbia (që e sulmon) në emër të UNMIK-ut. EULEX-i duke fituar kompetenca nga UNMIK-u u forcua kurse UNMIK-u duke i dhënë kompetenca EULEX-it po ashtu u përforcua. Qeveria e Kosovës është humbësi i madh në këtë situatë. Dhe, sidomos populli i Kosovës të cilit po i errësohet ardhmëria duke mbetur në një shtet pa shtet, në një pavarësi pa sovranitet.

Secilën ditë më shumë që do të kalojnë në Kosovë, UNMIK-u dhe EULEX-i do të vijnë duke u trashur e rënduar. Pas secilës ditë që kalojmë me UNMIK-un dhe EULEX-in në Kosovë do të jetë më vështirë që t’i largojmë më pas nga Kosova. Sepse, UNMIK-u dhe EULEX-i nuk e kanë një afat të qëndrimit i cili do të bënte që për çdo mëngjes të mund të themi se ka mbetur një ditë më pak deri atëherë kur UNMIK-u e EULEX-i do të ikin nga Kosova. Përkundrazi, sa më gjatë që qëndrojnë, aq më gjatë do të qëndrojnë akoma.

Faleminderit Qeveria jonë. Ti që nuk e do as veten, nuk mund të më duash mua.

Advertisement
Comments