Nënkryetarja e kuvendit të Serbisë mendon se Chollet i bëri presion Kurtit e Osmanit, jo Vuçiqit

1 minute, 7 seconds Read

Nënkryetarja e Kuvendit të Serbisë dhe deputetja Popullore e Partisë Socialiste të Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka komentuar vizitën e këshilltarit special të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, në Serbi e Kosovë.

Duke folur për median e afërt me regjimin, Tanjug, Paunoviq është shprehur se Chollet ishte në Beograd për të shprehur respektin e tij për përpjekjet serbe për të ndaluar përshkallëzimin e konfliktit në Kosovë. Ndërsa, ka shtuar se presioni i Chollet ishte më i fortë ndaj Albin Kurtit e Vjosa Osmanit.

“Ai nuk ka ardhur në radhë të parë për të bërë presion ndaj Beogradit dhe Presidentit Vuçiq. Duket se presioni i tij ka qenë më i fortë ndaj Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, nëse ka ndonjë rol, duke treguar se kjo qasje e njëanshme dhe paturpësi duhet të ndalet”, – është shprehur Paunoviq.

Kujtojmë se gjatë vizitës në Prishtinë, zyrtari i lartë amerikan takoi fillimisht presidenten Osmani, pastaj kryeministrin Kurti, liderët opozitarë, si dhe në fund, anëtarë të shoqërisë civile e gazetarë.

Ndërkaq, vizitën në Serbi ai e filloi në një drekë pune me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për të zhvilluar më pas takime të ndara me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq e kryediplomatin serb, Ivica Daçiq.

Publikime te ngjashme