fbpx

Në mesin e të arrestuarve gjatë aksionit ‘Brezovica’ edhe ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit

HomeLajmeKosovë

Në mesin e të arrestuarve gjatë aksionit ‘Brezovica’ edhe ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit

Shtatë persona janë arrestuar sot gjatë aksionit të Policisë së Kosovës që ende po zhvillohet lidhur me rastin “Brezovica”. Dy prej të arrestuarve janë zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi dhe Mustafë Hyseni, kurse 5 të tjerë janë qytetarë.

Në mesin e qytetarëve të arrestuar Sinjali ka mësuar nga burimet se është edhe një ish-zyrtar i kësaj ministrie. Bëhet fjalë për Arben Çitakun, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.

Ai dhe qytetarët e tjerë dyshohet se kanë kryer veprën penale “dhënie ryshfeti”. Ndërsa dy zyrtarët e arrestuar dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – marrje ryshfeti.

Aksioni është zhvilluar në 10 lokacione të ndryshme, në Prishtinë, Ferizaj e Shtërpcë. Ka pasur bastisje në objektin e Ministrisë së Mjedisit, ndërsa raportohet se Policia ka marrë në këtë objekt edhe lejet ujore për hidrocentralin “Brezovica”.

Në fund të dhjetorit të vitit 2021, Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikoliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Autoritetet dyshojnë se Nikoliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar “Sharri”, ku gjendet edhe Brezovica.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

COMMENTS

x